Bota

Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për 45 persona: Milan Radojçiç i akuzuari kryesor!

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është ngritur ndaj 45 personave. Ngritja e aktakuzës vjen gati një vit pas sulmit ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi ka drejtuar kritika ndaj Prokurorisë Speciale për mosngritjen e aktakuzës.

11 Shtator 2024, 12:32 Nga N.F
Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ngre
Foto ilustruese

KOSOVË- Ditën e sotme Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë lidhur me sulmin terrorist në shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është ngritur ndaj 45 personave.

Ngritja e aktakuzës vjen gati një vit pas sulmit ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi ka drejtuar kritika ndaj Prokurorisë Speciale për mosngritjen e aktakuzës. Kritika ka bërë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se i akuzuar kryesor është edhe Milan Radojçiç.


“Kemi realizuar 65 intervista, janë analizuar 150 pajisje elektronike, mbi 1 mijë armë, dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë rast. Kemi hasur në disa sfida të bashkëpunimit. Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast, ka qenë shtytësi kryesor ta tejaklojmë këtë sfidë. Aktakuza përfshin 45 persona me role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal, duke filluar nga grumbullimi i grupit. Ndër të akuzuarit kryesor është Milan Radoiçiç që ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa në shtete të ndryshme ku kemi arritur të sigurojmë dëshmi të ndryshme. Këto kërkesa kanë qenë jetike për të siguruar burimet e financimit, për ngritjen e aktakuzës së fuqishme”, tha Abazi.

“Kemi sekuestruar prona, automjete të blinduara, llogari bankare, të cilat janë fituar nga aktivitete të paligjshme, janë konfiskuar mbi 1 mijë armë. Ky veprim ka për qëllim të parandalojë veprimin e këtyre aktiviteteve. Fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve duke përfshirë biznese të regjistruar në emër të personave të tretë. Gjurmimi ka kërkuar analizë të detajizuar. Nga kjo aktakuzë presim që të gjithë të mbahen përgjegjës, kjo nuk është vetëm betejë ligjore. Presim që ky rast të shërbejë paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë ta shkelin ligjin e rrezikojnë sigurinë publike në Kosovë”, deklaroi ai.

Grupi terrorist i udhëhequr nga Millan Radojiçiç sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, ku nga ky sulm mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku. Në qershor të këtij viti, Policia e Kosovës kishte deklaruar se ishin identifikuar 48 terroristë ndërsa ishin ngritur kallëzime penale ndaj 45 personave, urdhër-arreste vendore kundër 41 të dyshuarve dhe 39 urdhër-arreste ndërkombëtare.

Kallëzimet penale janë ngritur nën dyshimet se janë konsumuar veprat: Vrasje e rëndë, sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,. Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, kryerja e veprës terroristge, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, shpërlarja e parave dhe financim i terrorizmit.

sulmi ne banjske albin kurti prokuroria speciale

Sondazh

Poll