Bota

Kërcënohet me bombë, aeroplani indian realizon ulje emergjente në Turqi

Aeroplani i linjës ajrore Vistara që transportonte pasagjerët, ishte nisur nga India për në Gjermani kur bëri një ulje emergjente në aeroportin e Erzurumit për arsye sigurie.

6 Shtator 2024, 21:57 Nga E. D
Kërcënohet me bombë, aeroplani indian realizon ulje emergjente
foto ilustruese

TURQI- Një aeroplan indian pasagjerësh ka bërë një ulje emergjente në qytetin lindor të Turqisë, pas një kërcënimi me bombë. Aeroplani i linjës ajrore Vistara që transportonte pasagjerët, ishte nisur nga India për në Gjermani kur bëri një ulje emergjente në aeroportin e Erzurumit për arsye sigurie. Vistara tha në një deklaratë pas uljes emergjente se fluturimi i saj UK27 nga Mumbai në Frankfurt (BOM-FRA) është devijuar në Turqi (aeroporti Erzurum) për arsye sigurie dhe është ulur i sigurt në orën 1905. 

Megjithatë, disa raporte sugjerojnë se aeroplani indian u ul për shkak të një kërcënimi për bombë. Sipas burimeve, ekipet turke të reagimit emergjent, përfshirë Autoritetin e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), personelin mjekësor, policinë dhe zjarrfikësit, u dërguan menjëherë në aeroport pas uljes emergjente.

Pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurtë dhe një kërkim i plotë i kabinës dhe zonave të ngarkesave është duke u zhvilluar. Guvernatori i Erzurumit, Mustafa Cifci, në një deklaratë konfirmoi se aeroplani mbante 247 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.

“Për momentin, ekipet janë në terren, duke kontrolluar bagazhet. Ekipet e AFAD kanë evakuuar në mënyrë të sigurt pasagjerët. Forcat e rendit, përfshirë policinë e operacioneve speciale, dhe të gjitha ekipet tona janë në vendngjarje. Të gjitha masat e nevojshme të sigurisë janë marrë brenda dhe rreth aeroplanit. Hapësira ajrore e Erzurumit është mbyllur për fluturime”, tha Cifci duke theksuar se ekspertët e asgjësimit të bombave po hetojnë aeroplanin.

aeroplani indian kercenim me bombe

Sondazh

Poll