Aktualitet

Tentuan të përfitonin 8 mijë euro nga një biznes duke u shtirur si zyrtarë, arrestohen 3 persona në Himarë

I dëmtuari njihet si një operator ekonomik në zonën turistike të Himarës, kurse aksioni u bë me dorëzim të kontrolluar nga agjentët, duke i futur të dyshuarit në kurth.

6 Shtator 2024, 12:52 Nga M.B
Tentuan të përfitonin 8 mijë euro nga një biznes duke u
Foto ilustruese

VLORA- Një rast mashtrimi me persona që hiqeshin hiqeshin si zyrtarë të lartë shtetërorë nëpërmjet platformës Signal, është goditur. Mësohet se 3 të rinj tentuan t’i merrnin një biznesmeni në Himarë 8000 euro përmes mashtrimit. Gjithashtu bëhet me dije se në pranga ka rënë çifti i bashkëshortëve, 30-vjeçarja me iniciale S. D., dhe 32-vjeçari me iniciale K. D.(K.), (bashkëshortë), si edhe 27-vjeçarja me iniciale D. V., të tre banues në Vlorë.

I dëmtuari njihet si një operator ekonomik në zonën turistike të Himarës, kurse aksioni u bë me dorëzim të kontrolluar nga agjentët, duke i futur të dyshuarit në kurth.

NJOFTIMI:

DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Notification”, për goditjen e një rasti të mashtrimit të operatorëve ekonomikë.

Tentuan të përfitonin 8 000 euro, nga një operator ekonomik në Himarë, me anë të mashtrimit, identifikohen dhe arrestohen 3 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Notification”, për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë kontaktuar administratorin e subjektit tregtar nëpërmjet një numri telefoni të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, duke rritur kështu besueshmërinë e kërkesave të tyre për të përfituar shumën prej 8 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për qytetarët, që të raportojnë menjëherë për çdo rast të mashtrimit apo të përpjekjes për mashtrim. Bashkëpunimi me qytetarët është i rëndësishëm për të mbrojtur interesat e komunitetit dhe për të parandaluar raste të tilla.

vlor

Sondazh

Poll