Bota

Po qëndronin mbi Urën e Ibrit, largohen autoblindat e karabinierëve

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 gusht kishte rritur befasishëm praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër.

2 Shtator 2024, 20:08 Nga E. D
Po qëndronin mbi Urën e Ibrit, largohen autoblindat e
fotot ilustruese

MITROVICË- Dy autoblindat e fundit të karabinierëve italianë janë larguar nga Ura e Ibrit, duke mbetur vetëm prania e zakonshme e KFOR-it. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 gusht kishte rritur befasishëm praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër. Kjo rritje e pranisë së KFOR-it aty besohej se erdhi pas aksionit të Policisë së Kosovës për mbylljen e disa objekteve të institucioneve paralele serbe.

Por KFOR-i reagoi duke thënë se këto ishin ushtrime rutino. Sipas KFOR-it dislokime të tilla shtesë, janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth. KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet vigjilent. Është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj të OKB-së dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës”, tha KFOR.

Pas këtyre stërvitjeve  trupat e shtuara të KFOR-it ishin larguar, por aty kishin qëndruar dy autoblinda.

ura e ibrit

Sondazh

Poll