Sport

Fiorentina huazon marokenin Amrabat te Fenerbahçe e ‘Mou’-t

Ndërkombëtari maroken Sofyan Amrabat i është bashkuar ekipit turk në formë huazimi, me një blerje të detyrueshme në fund të sezonit.

31 Gusht 2024, 11:32 Nga DOSJA

Fiorentina huazon marokenin Amrabat te Fenerbahçe e ‘Mou’-t

TURQI - Mesfushori maroken i Fiorentinës, Sofyan Amrabat, i është bashkuar Fenerbahçes në formë huazimi me detyrim blerjeje, njoftuan këtë të shtunë klubet turke dhe italiane.

“Klubi ynë ka shtuar në skuadrën e tij ndërkombëtarin maroken Sofyan Amrabat (...) në kuadrin e një huazimi me opsion blerjeje”,- ka treguar në X skuadra e Stambollit e drejtuar nga José Mourinho.

Fiorentina në një njoftim për mediat sqaron se bëhet fjalë për një huazim me blerje të detyrueshme. Mesfushori mbrojtës 28-vjeçar, i cili ka 57 paraqitje për kombëtaren marokene, ishte i huazuar sezonin e kaluar te Manchester United, klub me të cilin luajti 30 ndeshje.

Sofyan Amrabat do të luajë për Fenerbahçen së bashku me një ‘luan’ tjetër të Atlasit, sulmuesin Youssef En-Nesyri, i cili mbërriti në Stamboll në fund të korrikut nga Sevilla FC. E privuar nga titulli i ligës që nga viti 2014, Fenerbahçe dëshiron t'i japë fund thatësirës më të gjatë në historinë e saj këtë sezon.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll