Politike

"Pronarë të 22.4 ha tokë në Vuno"/ Rama: Lëtyrë e nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza, trashëgimtarët e stërgjyshit tim nuk e kanë marrë ende certifikatën e pronësisë

Lidhur me pronat, Rama shkruan se trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit të tij në Vuno të Himarës, janë ende pa marrë certifikatën e pronësisë, sipas tij njësoj si pronarë tjerë tokash në atë zonë. 

2 Gusht 2024, 12:04 Nga r.ll

"Pronarë të 22.4 ha tokë në Vuno"/ Rama:

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pak minuta pas denoncimit të Partisë Demokratike, se ai dhe familjarët e tij kanë përfituar 22.4 hektarë tokë në Vuno.  Përmes një postimi në "X", Rama shkruan se kjo është një përpjekje tjetër e dëshpëruar, ku po hidhet baltë mbi familjen e tij, për të sulmuar vetë atë. 

Kryeministri deklaratat të cilat i ka cilësuar si "lëtyrë e nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike", do ti shtohen padisë së radhës ndaj atyre që i quajti "skllevërit e ballkonit Non Grata". Lidhur me pronat, Rama shkruan se trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit të tij në Vuno të Himarës, janë ende pa marrë certifikatën e pronësisë, sipas tij njësoj si pronarë tjerë tokash në atë zonë. 

POSTIMI I RAMËS:

Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!

Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.

Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone - ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon - nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete. Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!

Sekretari i Çështjeve Ligjore në PD, Ivi Kaso tha se kryeministri Edi Rama së bashku me vëllain e tij, si trashëgimtarë të fisit Koleka kanë përfituar një sipërfaqe toke pasuri në Vuno prej 22.4 hektarë. Kaso tha se nga dokumentet e siguruar rezulton se para 7 vitesh Rama dhe familjarët e tij kanë aplikuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronës. Sipas tij, ATP ka refuzuar njohjen e kësaj prone dhe kompensimin fizik të saj sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion. Kaso shtoi se pas refuzimit ata i janë drejtuar gjykatës së Vlorës , e cila e ka ndryshuar vendimin e ATP, duke i njohur kërkuesve pronën.

edi rama tokat ne vuno ivi kaso pd

Sondazh

Poll