Sport

FSHF i shtrin "dorën e pajtimit" sulmuesit Sokol Cikalleshi, i bën urimin e veçantë...

“60 ndeshje me fanelën kuqezi, 13 gola të shënuar, Sokol Cikalleshi feston sot ditëlindjen dhe familja e madhe e futbollit shqiptar i uron sulmuesit suksese në çdo aspekt të jetës!”

27 Korrik 2024, 21:04 Nga DOSJA
FSHF i shtrin "dorën e pajtimit" sulmuesit Sokol Cikalleshi, i

TIRANE - Sokol Cikalleshi ishte një nga mungesat e mëdha të Shqipërisë në Euro 2024. Sidomos pas faktit që sulmuesi nga Kavaja, ishte një lojtar titullar të gjithë takimet e fazës eliminatore.

34-vjeçari, pjesë e Konyasporit në Superligën turke, mbeti jashtë përzgjedhjeve të trajnerit Sylvinho për finalet e Euro 2024, që u zhvillua në Gjermani.

Pa bërë polemika si gjithmonë, Cikalleshi shkroi këto rreshta në njoftimin e lamtumirës nga Kombëtarja vetëm një ditë pasi Sylvinho publikoi listën e lojtarëve që përfaqësuan Shqipërinë në Gjermani 2024:

“Fundi i një rrugëtimi!”

Rrugëtimet janë aq të bukura, me ulje-ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve, nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.

Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit.

Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë është sa privilegj, aq edhe përgjegjësi, e cila më ka bërë të përulur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajë për të vazhduar e, pa dyshim, ndaj çdokujt që brohoriti për mua”.

Ndërkohë, me anë të një postimi në faqen zyrtare, FSHF-ja tani ka uruar sulmuesin për 34-vjetorin e lindjes.

“60 ndeshje me fanelën kuqezi, 13 gola të shënuar, Sokol Cikalleshi feston sot ditëlindjen dhe familja e madhe e futbollit shqiptar i uron sulmuesit suksese në çdo aspekt të jetës!

Gëzuar ditëlindjen Sokol!”,- lexohet në komentin e Federatës së Futbollit Shqiptar. Urim të cilit i bashkohen të gjithë tifozët shqiptarë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll