Politike

Berisha: Regjimi nuk lejoi financimin me asnjë qindarkë të 61 kandidatëve të opozitës kundrejt milionave për Basho-opozitën

Gjithashtu Kreu i PD-së theksoi se kryeministri Edi Rama nuk lejoi financimin me asnjë qindarkë të 61 kandidatëve të opozitës.

16 Korrik 2024, 20:31 Nga E. D
Berisha: Regjimi nuk lejoi financimin me asnjë qindarkë të 61
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalimin e tij të përnatshëm para mbështetësve poshtë pallatit u ndal te zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Gjithashtu Kreu i PD-së theksoi se kryeministri Edi Rama nuk lejoi financimin me asnjë qindarkë të 61 kandidatëve të opozitës. Më tej Berisha u shpreh se zgjedhjet zhvilloheshin në kushtet kur Edi Rama me gjykatësit e tij i kishte marrë logon partisë më të madhe opozitare. 

"Kujtoni pak për një moment të dashur miq datat 15,16, 17 maj. Zgjedhjet, të cilat zhvilloheshin në kushtet e pabarazisë më absolute. Zhvilloheshin në kushtet kur Edi Rama me gjykatësit e tij i kishte marrë logon partisë më të madhe opozitare. Nuk lejonte emrin e kryetarit të saj në fletën e votimit. Nuk lejoi financimin me asnjë qindarkë të 61 kandidatëve të opozitës kundrejt miliona e miliona të kandidatëve të partisë së krimit dhe 12 kandidatëve të Basho-opozitës. Kujtoni pak zgjedhjet në të cilat vrasësit serialë Bajrëve, Ndokëve, Rrajave, Avdylëve, Bamëve etj, etj kërcënonin me hanxharët e tyre votuesit dhe demokratët. Kujtoni pak patronazhistët, aktivistët, policinë politike terroriste elektorale të Edi Ramës.

Kujtoni pak rrethimin e qendrave të votimit prej tyre dhe transferimin e qendrave të 1.2 milionë zgjedhësve për t’i lënë pa votuar. Të gjitha këto, së bashku me 683 mijë zarfa të pensionistëve dhe qindra milionë euro të shpërndara. Miqtë e mi, ua kujtova këto jo se nuk i dini, por pavarësisht nga këto, propaganda e shpifur e Edi Ramës u vërsul kundër opozitës se humbi zgjedhjet dhe jo kundër kriminelit elektoral. A e shihni pra se cila është koha në të cilën fajtori shpallet fitimtar, kurse viktima shpallet fajtor? A e shihni pra se çfarë efekti toksik ka propaganda e drejtuar nga qeveria? Por të gjitha këto nuk mund të jenë kurrë dekurajim për ne. Të gjitha këto duhet të jenë vetëm nxitje dhe frymëzim për guxim dhe betejëm," tha Berisha. 

sali berisha

Sondazh

Poll