Aktualitet

BIRN: Lamtumirë Kadare! Shkrimtari më i madh shqiptar përcillet me nderime

Personalitete publike dhe politikanë të Shqipërisë dhe Kosovës përcollën me nderime shkrimtarin Ismail Kadare pas ndarjes së tij nga jeta në moshën 88 vjeçare.

3 Korrik 2024, 22:07 Nga M.B
BIRN: Lamtumirë Kadare! Shkrimtari më i madh shqiptar përcillet
Ismail Kadare

TIRANA- E mërkura e gjeti kryeqytetin në ditë zie kombëtare, teksa qindra personalitete publike dhe politikanë të Shqipërisë dhe Kosovës i dhanë lamtumirën e fundit shkrimtarit Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 korrik në moshën 88 vjeçare.Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit u tejmbush nga miq dhe adhurues të Kadaresë, por edhe nga politikanë e qytetarë të tjerë që përcollën me lule në duar kortezhin e shkrimtarit më të madh shqiptar.

Kryeministri Edi Rama përmbylli me një fjalim të vetëm ceremoninë e homazheve, me porosi të bashkëshortes së të ndjerit, Helena Kadare.

“Ai erdhi, shkroi dhe iku. U prehsh në paqe Ismail, i the të gjitha,” tha Rama gjatë fjalës së tij, duke e quajtur Kadarenë si ‘njeriun që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj'.

Edhe Presidenti Begaj e cilësoi Kadarenë si gjeniun e letrave të shqiptarëve, poetin e miteve të Ballkanit dhe përfaqësuesin më të spikatur të letërsisë moderne botërore.

“Novator në stil si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne”, shkroi Begaj në reagimin e tij publik.

Një rastësi ishte prania e statujës simbolike të Nënë Terezës në sfondin e skenës së TOB-it, ku u vendos për homazhe arkëmorti me trupin e Kadaresë.

“Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty, më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë”, tregoi Rama mbi rastësinë e simbolit të Nënë Terezës në sallën e homazheve të shkrimtarit.

Rama shtoi se duke e njohur Kadarenë, e dinte që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë nën mbrojtje.

Vendi i prehjes së Kadaresë u bë gjithashtu objekt diskutimi gjatë homazheve, ku kryeministri Edi Rama tha se i kishin mbërritur plot mesazhe me sugjerime. Në mbyllje, Rama shtoi  Kadaresë do i jepej në kohën dhe vendin e duhur një banesë e veçantë, e denjë për të dhe personalitetin e tij që i kishte lemeri tubimet, fjalimet dhe vendet e populluara. Pas homazheve dhe ceremonisë shtetërore, Ismail Kadare u përcoll drejt varrezave të Tufinës i shoqëruar nga një kortezh familjarësh dhe miqve të ardhur nga Franca./ BIRN

ismailkadare

Sondazh

Poll