Bota

Ekstremi i djathtë drejt pushtetit? Francezët thirren sot në raundin e parë të votimeve për zgjedhjet, a do të tronditet Europa nga rezultatet

Partia e saj euroskeptike, anti-emigruese ishte pa baza të forta besimi në elektorat për një kohë të gjatë, por tani është më afër pushtetit se sa ka qenë ndonjëherë.

30 Qershor 2024, 08:19 Nga M.B
Ekstremi i djathtë drejt pushtetit? Francezët thirren sot në
Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen

FRANCA- Votuesit francezë do të hedhin votat e tyre të dielën në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mund të sjellin qeverinë e parë të ekstremit të djathtë në vend që nga Lufta e Dytë Botërore. Presidenti Emmanuel Macron habiti opinionin publik kur thirri votimin pasi aleanca e tij centriste u shtyp në zgjedhjet evropiane të këtij muaji nga Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen (RN). Partia e saj euroskeptike, anti-emigruese ishte pa baza të forta besimi në elektorat për një kohë të gjatë, por tani është më afër pushtetit se sa ka qenë ndonjëherë.

Qendrat e votimeve hapen në orën 06:00, mbyllen në 16:00 në qytetet e vogla dhe në 18:00 në qytetet më të mëdha, kur priten rezultete e para dhe parashikimet e vendeve për raundin e dytë vendimtar një javë më vonë. Megjithatë, sistemi zgjedhor mund ta bëjë të vështirë vlerësimin e saktë të shpërndarjes së vendeve në Asamblenë Kombëtare prej 577 vendesh dhe rezultati përfundimtar nuk do të dihet deri në fund të votimit më 7 korrik.

"Ne do të fitojmë një shumicë absolute," tha Le Pen në një intervistë të mërkurën, duke parashikuar se 28-vjeçari Jordan Bardella do të ishte kryeministër. Partia e saj ka një program ekonomik me shpenzime të larta dhe kërkon të reduktojë emigracionin. Nëse RN fiton një shumicë absolute, diplomacia franceze mund të shkojë drejt një periudhe të paprecedentë turbulence me Macron i cili ka thënë se do të vazhdojë presidencën e tij deri në fund të mandatit në 2027 dhe Bardella si kryeministër.

Bardella ka treguar tashmë se do të sfidonte Macron për çështjet globale. Franca mund të kalojë nga të qenit një shtyllë e BE-së në "një gjemb nën këmbë", duke kërkuar një zbritje të kontributit francez në buxhetin e BE-së, duke u përplasur me Brukselin për vendet e punës në Komisionin Evropian dhe duke anuluar thirrjet e Macron për unitet më të madh të BE-së dhe vendosmëri në mbrojtje.

Një fitore e RN do të sillte gjithashtu pasiguri se ku qëndron Franca në luftën Rusi-Ukrainë. Le Pen ka një 'histori' të ndjenjave pro-ruse dhe ndërsa partia thoshte se do ta ndihmonte Ukrainën të mbrohej kundër pushtuesve rusë, ajo ka vendosur vija të kuqe, të tilla si refuzimi për të ofruar raketa me rreze të gjatë.

franca

Sondazh

Poll