Politike

Olsi Rama në SPAK, Bardhi: Konfirmoi gjithçka që kam denoncuar unë, makinën e ka përdorur të paktën 7 herë

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thekson se vëllai i kryeministrit sot ka konfirmuar vetë gjithçka që ka denoncuar ai.

28 Qershor 2024, 14:56 Nga I.A
Olsi Rama në SPAK, Bardhi: Konfirmoi gjithçka që kam denoncuar
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas marrjes në pyetje të Olsi Ramës nga SPAK për dosjen Xibraka. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thekson se vëllai i kryeministrit sot ka konfirmuar vetë gjithçka që ka denoncuar ai. Ndërkohë që ka shtuar se gjatë fjalës së tij për mediat, Rama ka gjënjyer në lidhje me makinën e përdorur, pasi sipas të dhënave nga TIMS, makina është përdorur të paktën 7 herë nga Olsi Rama. 

Postimi i Bardhit:

Të sillesh si budalla përpara derës së SPAK-u është një strategji e gabuar që nuk të shpëton nga e vërteta! Të thuash që ke përdorur makinën e trafikantëve të drogës, por trafikantët nuk i njeh, është një gënjeshtër banale. Olsi Rama konfirmoi përpara derës së SPAK gjithçka kam denoncuar për të. Deklarimet e tij publike janë e vërteta më e madhe e kësaj çështjeje: “Një herë deklaroi se njeh njërin nga trafikantët, sot tha nuk njoh asnjërin. Një herë s’kam udhëtuar me narkomakinën, sot tha kam udhëtuar vetëm një herë”.

Por, sot vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu sërish publikisht kur tha se e ka përdorur vetëm njëherë narkomakinën AA 653 DM. Të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë të kundërtën, se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë. Gënjeshtra e ditës dhe alibitë nuk janë as mjet mbrojtës dhe as zgjidhje. E vërteta ndodhet në procedimin penal 335/1-2016 që u tentua të varrosej nga prokuroria, por që sot mban numrin 88-2024! Inkurajoj SPAK t’i shkojë me guxim deri në fund të vërtetës, duke na provuar se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm!

Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi ka njoftuar se SPAK i ka kthyer një përgjigje në lidhje me denoncimin e bërë nga vetë ai për dosjen "Xibraka". Bardhi shkruan se SPAK ka konfirmuar se ka rinisur hetimet për akuzat e përfshirjes së vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në laboratorin e drogës. Disa javë më parë, Bardhi solli në vëmendje laboratorin e drogës që u zbulua në 2015 në Xibrakë, ku i bëri thirrje SPAK të rihapë hetimet, pasi ishte i përfshirë edhe Olsi Rama. Kreu i Grupit të PD në deklaratat e tij për çështjen, tha se automjeti me targa AA653DM, është përdorur disa herë, bashkë dhe veçmas nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj.

gazment bardhi olsi rama

Sondazh

Poll