Bota

Tre kushtet e reja të Kurtit për dialogun me Serbinë, Rohde: Nuk mendoj se është e dobishme ta ngarkojmë këtë proces

Rohde tha se takimi i djeshëm nuk përfundoi shumë mirë dhe se përparimi për momentin është i bllokuar, por shtoi se takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve paraqet potencial për ta gjetur një terren të përbashkët.

27 Qershor 2024, 21:45 Nga N.F

Tre kushtet e reja të Kurtit për dialogun me Serbinë, Rohde: Nuk
KOSOVË- Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka komentuar ditën e sotme takimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, të dërguarin special për dialogun, Miroslav Lajçak në Bruksel. Ai gjithashtu ka komentuar mungesën e takimit të nivelit të lartë që ishte parashikuar të ndodhte me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Rohde tha se takimi i djeshëm nuk përfundoi shumë mirë dhe se përparimi për momentin është i bllokuar, por shtoi se takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve paraqet potencial për ta gjetur një terren të përbashkët.

“Dhe, prandaj, ka potencial për të gjetur terren të mesit të përbashkët. Sepse të dyja palët e dinë, që qasja konstruktive në dialog është po ashtu parakusht për të marrë pjesë në Planin e Rritjes”, tha Rohde për Nacionale.

Ai komentoi edhe tri kushtet e kryeministrit Kurti në mënyrë që të ketë takim të nivelit të lartë; nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiç dhe dorëzimin e terroristit Millan Radoiçiç tek organet e drejtësisë në Kosovë.

Kushtet e Kurtit, Rohde i cilësoi si ngarkesë në procesin e dialogut, i cili proces sipas tij, edhe pa to është i vështirë aktualisht.

“Shikoni, nuk mendoj se është e dobishme ta ngarkojmë një proces edhe ashtu tashmë të vështirë të negociatave, përherë me kushtëzime të reja. Sepse doni të arrini diçka, dhe, nëse më lejoni të kthehem në historinë tonë gjermano-gjermane, kishim marrëdhënie të vështira me Gjermaninë Lindore. Ishte një diktaturë me një demokraci, ku çdo vit njerëzit vriteshin në kufi, sepse ishte e minuar, por megjithatë gjetëm mënyra për t’u angazhuar drejt njëri tjetrit”.

“Mendoj se gjithashtu është fatkeqe që s’pati mundësi për t’u takuar ballë-për-ballë, që s’pati takim trepalësh dhe siç tha Borrelli, ne jemi veç ndërmjetësues; s’i bëjmë dot ne punët e juaja të rënda për juve; duhet të ketë së paku vullnet minimal nga palët që të angazhohen. Dhe duhet ketë më shumë nga kjo, dhe jo më pak”, tha Rohde.

kosova serbia jorn rohde albin kurti

Sondazh

Poll