Sport

Bonusi i Gjeorgjisë tronditës: 10 mln. € për fitoren ndaj Spanjës, 50 mln. për Euron!...

Fondacioni Kartu, me qëllime filantropike dhe bamirëse, tashmë do të duhet të paguajë një pjesë të këtij stimuli, por ka premtuar shumë më tepër.

27 Qershor 2024, 17:03 Nga DOSJA
Bonusi i Gjeorgjisë tronditës: 10 mln. € për fitoren ndaj

GJERMANI - Futbollistët dhe stafi i trajnerëve të kombëtares së Gjeorgjisë do të marrin një bonus monstruoz për fitoren ndaj Portugalisë dhe kualifikimin në fazën e 16-të të Eurokupës.

Fondacioni Kartu, një organizatë bamirësie që menaxhon shuma të mëdha parash në vendin euroaziatik, premtoi rreth 10 milionë euro, në rast të arritjes së qëllimit për të kapërcyer grupin F. Dhe do të japë 30 milionë euro të tjera për secilin raund kualifikues që kalohet. Kjo është raportuar nga mediat kryesore gjeorgjiane.

Kjo do të thotë: skuadra mund të dalë në çerekfinale me 20 milionë euro në xhep dhe çfarëdo që të vijë: nëse fitojnë Euron (diçka e paimagjinueshme, sigurisht), futbollistët e Willy Sagnolit do të fusin në xhepa jo më pak se 50 milionë euro në total, gati 2 milionë euro për futbollist.

Duhet mbajtur mend se shumë prej tyre luajnë në klube evropiane të kategorive dhe ligave më të ulëta, me paga në disa raste më pak se 100 mijë euro në vit. Ata do ta shumëzonin atë shifër me 20 vite në një turne të vetëm.

Bonusi është jashtëzakonisht më i lartë se ai i çdo ekipi tjetër në Euro 2024. Për ta vënë në perspektivë, lojtarët spanjolë do të fitojnë pak më shumë se 11 milionë euro mes tyre nëse arrijnë të ngrenë titullin në Berlin më 15 korrik. Pothuajse pesë herë më pak se Gjeorgjia.

Siç njoftohet në faqen e vet të internetit, “Fondacioni Ndërkombëtar i Bamirësisë Kartu u themelua në vitin 1995 nga familja e Bidzina Ivanishvili dhe synon të promovojë zhvillimin e Gjeorgjisë përmes zbatimit të projekteve filantropike dhe bamirëse. 

Që nga fillimi i tij, vlera e projekteve të financuara dhe zbatuara nga Fondacioni Kartu tejkalon 3.2 miliardë dollarë amerikanë”. Nuk duket se rreth 50 milionë euro mund të rrezikojnë stabilitetin e saj.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll