Bota

Izraeli vret zyrtarin e lartë shëndetësor të Gazës ndërkohë tanket izraelite vendosen më thellë në Rafah

Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se sulmi kishte në shënjestër Mohammad Salah, i cili thuhet se ishte përgjegjës për sigurimin e armatimit të Hamasit.

24 Qershor 2024, 15:16 Nga E. D
Izraeli vret zyrtarin e lartë shëndetësor të Gazës
fotot ilustruese

IZRAEL- Një sulm ajror izraelit në një klinikë mjekësore në qytetin e Gazës ka vrarë drejtorin e Departamentit të Ambulancës dhe Emergjencave të Gazës, ndërsa ushtria izraelite tha se sulmi kishte vrarë një komandant të lartë të armatosur të Hamasit. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë tha se vrasja e Hani al-Jaafarawi e çoi numrin e stafit mjekësor të vrarë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori në 500. Të paktën 300 të tjerë janë arrestuar deri më tani. Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se sulmi kishte në shënjestër Mohammad Salah, i cili thuhet se ishte përgjegjës për sigurimin e armatimit të Hamasit.

“Salah ishte pjesë e një projekti për zhvillimin e armatimit strategjik për organizatën terroriste Hamas dhe ai komandonte një numër skuadrash terroriste të Hamasit që punonin në zhvillimin e armëve”, tha ushtria.

Ndërkohë, më shumë se tetë muaj pas luftimeve, ndërmjetësimi ndërkombëtar i mbështetur nga SHBA-ja, deri më tani nuk ka arritur të sjellë një marrëveshje armëpushimi. Hamasi thotë se çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës, ndërsa Izraeli thotë se do të pajtohet vetëm me pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi të shkatërrohet.

Ndërkohë në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, forcat izraelite kanë marrë kontrollin e pjesëve lindore, jugore dhe qendrore të qytetit, me banorët që përshkruajnë luftime të ashpra. Siç raportohet tanket izraelite kanë avancuar deri në kampin Mawasi në veriperëndim të Rafahut, duke detyruar shumë familje të largohen drejt veriut.

“Situata në Tel Al-Sultan, në perëndim të Rafahut, mbetet shumë e rrezikshme. Dronët dhe snajperët izraelitë po gjuajnë njerëz që përpiqen të kontrollojnë shtëpitë e tyre dhe tanket vazhdojnë të marrin nën kontroll zonat që mbikëqyrin Al-Mawasin më në perëndim”, tha një banor. 

Së fundmi, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se faza e luftimeve intensive kundër Hamasit do të përfundojë shumë shpejt, por se lufta nuk do të përfundojë derisa grupi islamik të mos kontrollojë më enklavën palestineze.

“Pas përfundimit të fazës intensive, ne do të kemi mundësinë të zhvendosim një pjesë të forcave në veri. Dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha Netanyahu.

Sondazh

Poll