Politike

"47% e fëmijëve shqiptarë në varfëri ushqimore"/ PD: UNICEF hedh dritë mbi situatën skandaloze të kequshqyerjes në Shqipëri

PD-ja thekson se barra e fajit bie mbi institucionet e varësisë qeveritare, të cilat po vjedhin çdo ditë qytetarët.

24 Qershor 2024, 15:12 Nga I.A
"47% e fëmijëve shqiptarë në varfëri
Silvi Bardhi

TIRANË- Koordinatorja për departamentet në PD, Silvi Bardhi ka komentuar gjatë ditës së sotme raportin e UNICEF për fëmijët shqiptarë/ Bardhi theksoi se UNICEF hedh dritë mbi situatën skandaloze të kequshqyerjes në Shqipëri, ku 47% e fëmijëve shqiptarë në varfëri ushqimore. PD-ja thekson se barra e fajit bie mbi institucionet e varësisë qeveritare, të cilat po vjedhin çdo ditë qytetarët.

Deklarata e Plotë:

Shqipëria, vendi i pasur me burime natyrore, klimë të jashtëzakonshme për të mbjella të të gjitha kulturave bujqësore, reliev të përshtatshëm për mbarështimin e prodhimeve blegtorale, ka fëmijë të kequshqyer. Një raport me shifra alarmante është publikuar nga UNICEF ku Shqipërinë e pozicionon në nivele skandaloze të të kequshqyerit të fëmijëve. Shqipëria është thuajse ne nivelin e vendeve në konflikt të armatosur si Iraku, Kenia, Çadi, Ruanda etj. 76 mijë nga mosha 0 deri 5 vjeç, ose 47% e fëmijëve shqiptarë janë në varfëri ushqimore, pra pa minimumin e ushqimit. Kjo grupmoshë e cila e ka të nevojshme zhvillimin fizik dhe mendor, nuk ka kushtin minimal. Këto pasoja të kequshqyerjes tek fëmijët, sipas UNICEF mund të zgjasin përgjatë gjithë jetës.

Sipas raportit 47% e fëmijëve shqiptarë ushqehen vetëm me qumësht gjiri, produkte qumështi, një lëndë bazë niseshteje, orizi, misri ose gruri. Po të analizojmë, një pjesë e madhe e fëmijëve të familjeve shqiptare rriten në kopshte dhe çerdhe publike, një pjesë rritet në shtëpi ndërsa një pjesë e vogël në institucione private me çmime tepër të kushtueshme Bazuar te ky fakt dhe te raporti i UNICEF, barra e fajit bie mbi institucionet e varësisë qeveritare. Vjedhja dhe abuzimet që bëhen me dietën e fëmijëve është makabritet. Të mos harrojmë se shumë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme në fshatra dhe zona të varfra ku prindërit i rrisin pa asnjë mbështetje nga shteti. Është kriminale të shohësh statistika të cilat të rendisin të fundit bashkë me vendet me burime të varfra natyrore apo ne lufte.

Lakmia e këtij pushteti nuk njeh kufij as tek fëmijët. Ndaj edhe shqiptarët largohen, sepse mendojnë vetëm për të ardhmen dhe sigurinë e fëmijëve të tyre. Partia Demokratike ka alternativën e saj të sigurt për të fituar betejën ndaj varfërisë. Që në muajt e parë të qeverisjes tonë do të vendoset minimumi jetik në masë prej të paktën 210-220 euro. Një qeveri që vjedh bukën e përditshme të fëmijëve duhet larguar një ditë e më parë. Ne nuk jemi të varfër, por të vjedhur!

silvi bardhi pd

Sondazh

Poll