Politike

"Të lëmë ndasitë mënjanë"/ Berisha: Kjo është thirrja më jetike që bëj në 33 vite! Jemi në emergjencë ekzistenciale

Berisha u shpreh para mbështetësve se sot Shqipëria është në një pikë kritike dhe se qytetarët duhet të dalin në protesta e duhet të tregojnë mosbindje civile, pasi sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të mposhtur regjimin.

5 Qershor 2024, 20:16 Nga B.Z
"Të lëmë ndasitë mënjanë"/ Berisha: Kjo
Sali Berisha

TIRANË - Kreu i PD-së Sali Berisha ka mbajtur edhe sot fjalën në tubimin e përditshëm që zhvillohet poshtë banesës së tij. Berisha u shpreh para mbështetësve se sot Shqipëria është në një pikë kritike dhe se qytetarët duhet të dalin në protesta e duhet të tregojnë mosbindje civile, pasi sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të mposhtur regjimin.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionarëve të vërtetë të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe dinjitetit kombëtar.
Të dashur qytetarë edhe qytetare, demokrate dhe demokratë.
Sot është dita e 156, që unë mbaj fjalën time këtu në Rrugën e Shpresës. Nga këto 156 ditë, kjo është fjala më e rëndësishme që unë kam mbajtur. Por jo vetëm.

Në 33 vite karrierë politike, kurrë ndonjëherë, një mesazh i imi, nuk ka qenë më emergjent se ky mesazh i sotëm për ju dhe mbarë shqiptarët. Në 33 vite karrierë, kurrë ndonjëherë, një thirrje e imja, nuk ka qenë kaq jetike se kjo që bëj sonte në emër tuaj dhe të PD.Prandaj fjalët e mia sot shkojnë në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo qytet, në mbarë vendin. Këto fjalë shkojnë për çdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë.

Këto fjalë shkojnë për zemrat e çdo shqiptari. Çdo njeriu, që nën deje ka gjak shqiptari.
Demokratë dhe opozitarë të tjerë. Socialistë dhe pa parti. Këto fjalë u shkojnë partive të mëdha dhe partive të vogla. Shoqërisë civile, emigracionit dhe diasporës. Të rinjve dhe të moshuarve. Nënave dhe baballarëve. Vëllezërve dhe motrave.
Por këto fjalë shkojnë edhe për kritikët e Berishës.

Ka momente në histori, që ndasitë duhen lënë mënjanë. Ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale. Për çdo popull, vjen një moment në histori kur ndodhet përpara pyetjes: "Të jesh apo të mos jesh?"
Ky është ai moment për kombin shqiptar! Dhe sot çdo shqiptar duhet t'i shohë gjërat siç janë.

sali berisha

Sondazh

Poll