Sport

I dyshuar për pjesëmarrje në një aferë bastesh, braziliani Lucas Paqueta rrezikon të dënohet përjetë... nga FA

Federata Angleze e Futbollit (FA) mund të ndalojë përgjithmonë Lucas Paqueta, nëse ai shpallet fajtor për aferën e basteve sportive në Premier League.

4 Qershor 2024, 14:48 Nga DOSJA
I dyshuar për pjesëmarrje në një aferë bastesh,

ANGLI - Lucas Paqueta mund të dënohet përgjithmonë në Angli, në çdo rast kjo është dëshira e shprehur nga Federata Angleze (FA), nëse ai do të shpallej fajtor për faktet me të cilat akuzohet, raporton ‘Daily Mail’. Informacioni që justifikon frikën e klubit të West Ham e transmeton edhe ‘Guardian’.

‘Hammers’ i frikësohet një përfundimi të hershëm të karrierës së lojtarit të tyre, nëse Federata Angleze vendos të japë një goditje të madhe. Federata akuzon mesfushorin sulmues brazilian, se ka shkelur qëllimisht rregullin E5.1 të FA, duke kërkuar të marrë kartonë të verdhë për të ndikuar në bastet sportive.

Akuzat lidhen me katër ndeshje të West Ham në Premier League, duke llogaritur për sezonin 2022-2023 dhe 2023-2024, kundër Leicester City më 12 nëntor 2022, Aston Villa më 12 mars 2023, Leeds United më 21 maj 2023 dhe Bournemouth më 12 gusht 2023. FA iu deshën nëntë muaj për të mbledhur prova dhe për të ngritur një çështje kundër Paqueta.

“Jam jashtëzakonisht i befasuar”

Pretendohet se ai ka kërkuar drejtpërdrejt të ndikojë në rrjedhën, sjelljen ose ndonjë aspekt ose ngjarje tjetër të këtyre ndeshjeve, duke kërkuar qëllimisht të marrë një karton nga arbitri, me qëllim të pahijshëm për të ndikuar në tregun e basteve në mënyrë që “një ose më shumë persona të përfitonin nga bastet”,- shkruan FA.

Duke mohuar kategorikisht shkeljen, Paqueta ka deklaruar pafajësinë e tij në Instagram. “Jam jashtëzakonisht i befasuar dhe i mërzitur, që FA ka vendosur të më akuzojë”,- ka shkruar ai në rrjetin social, “Për nëntë muaj kam bashkëpunuar në çdo fazë të hetimit dhe kam dhënë të gjitha akuzat e mundshme dhe do të luftoj me të gjitha forcat për të pastruar emrin tim”.

Lojtari u mor në pyetje në shtator dhe dyshohet se i dha akses në celularin e tij një muaj më vonë, sipas ‘Daily Mail’.

Ai kishte afat deri më 3 qershor për t'iu përgjigjur këtyre akuzave ndaj tij, por sipas ‘The Athletic’, avokatët e Lucas Paqueta kanë kërkuar kohë shtesë, kërkesë që FA e kishte parashikuar. Mesfushori i është bashkuar kombëtares braziliane për t'u përgatitur për Copa América që do të zhvillohet nga 24 qershori deri më 24 korrik.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll