Bota

Stuhia detare dëmton portin e përkohshëm të ndërtuar nga SHBA në Gaza, çfarë pritet të ndodhë me ngarkesat e ndihmave

Përpjekjet për të rimontuar rrugicën dhe për ta lidhur atë edhe një herë me zonën e parkimit do të rifillojnë kur kushtet e motit të përmirësohen dhe stuhia detare të qetësohet.

28 Maj 2024, 20:13 Nga r.ll
Stuhia detare dëmton portin e përkohshëm të ndërtuar
pamje nga demtimi i portit

GAZA- Porti i përkohshëm i ndërtuar nga ushtria amerikane për të transportuar ndihma në Gaza ka pësuar një dëmtim të dielën për shkak të një stuhie detare. Kjo shihet si një goditje e madhe ndaj përpjekjeve të udhëhequra nga Amerika për të krijuar një korridor detar për furnizimet humanitare në enklavën e shkatërruar nga lufta, sipas katër zyrtarëve amerikanë. 

Një pjesë e skelës së portit, e cila përbëhet nga një rrugë e ngushtë për të çuar ndihmat në Gaza dhe një zonë më e gjerë parkimi për të hequr furnizimet e transportuara me anije, u shkëput të dielën, shkruan CNN. Zona e parkimit do të duhet të rilidhet me rugën e ngushtë përpara se skela të mund të përdoret përsëri.

Përpjekjet për të rimontuar rrugicën dhe për ta lidhur atë edhe një herë me zonën e parkimit do të rifillojnë kur kushtet e motit të përmirësohen dhe stuhia detare të qetësohet. Porti i përkohshëm, i cili kushtoi 320 milionë dollarë, kishte filluar të funksiononte më 17 maj kur stuhia detare detyroi dërgesat të ndalonin një javë më vonë, më 24 maj, dy ditë përpara se një pjesë e skelës të shkëputej. Është e paqartë se kur do të rifillojnë dërgesat.

Skela portuale e përkohshme, e quajtur Joint Logistics Over the Shore (JLOTS), kërkon kushte shumë të mira detare për të funksionuar. SHBA-ja ka theksuar se skela ka për qëllim vetëm të shtojë dërgesat humanitare që kalojnë nëpër vendkalimet tokësore midis Izraelit dhe Gazës.

Të enjten, zëvendësadmirali Brad Cooper, zëvendës komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, tha se 820 tonë ndihma ishin dorëzuar përmes skelës në plazhin e Gazës, ku Kombet e Bashkuara ishin përgjegjëse për shpërndarjen e saj tek popullata palestineze.

Daniel Dieckhaus, drejtori i ekipit të menaxhimit të reagimit të USAID-it, u tha gazetarëve të enjten se kishte "mijëra e mijëra ton" ndihma që prisnin në Qipro për t'u dorëzuar përmes korridorit detar. Por ato dërgesa tani janë ndalur me skelën e përkohshme jashtë funksionit.

gaza lufta izrael-hamas shba

Sondazh

Poll