Politike

Shtyrja e gjyqit për Belerin/ "Kathimerini": Po synojnë ta veshin me mantel "parregullsie". Kandidatura e tij si eurodeputet, problem për Ramën!

Më tej shkruhet se krijimi i pengesave synon edhe veshjen e Belerit me një mantel parregullsie për të përforcuar imazhin që qeveria e kryeministrit Rama po projekton në Shqipëri për luftë kundër korrupsionit.

28 Maj 2024, 10:37 Nga B.Z
Shtyrja e gjyqit për Belerin/ "Kathimerini": Po synojnë ta
Edi Rama, Fredi Beleri

TIRANË - Apeli i GJKKO shtyu për në datë 7 Qershor seancën për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Një ditë pas këtij vendimi ka ardhur dhe reagimi nga mediat greke. Në një artikull të "Kathimerini" thuhet se po synohet minimi i kandidaturës së Belerit. Artikulli shton se krijimi i pengesave synon edhe veshjen e Belerit me një mantel parregullsie për të përforcuar imazhin që qeveria e kryeministrit Rama po projekton në Shqipëri për luftë kundër korrupsionit.

“Në një vendim që synon të minojë kandidaturën me Demokracinë e Re në zgjedhjet europiane të kryebashkiakut të burgosur etnik grek të Himarës, drejtësia shqiptare ka transferuar seancën e parë të apelit të Fredi Belerit në Gjykatën e Apelit për më 7 qershor. Duke qenë se procedurat nuk do të shterohen me një seancë, është fare e qartë se apeli do të vendoset pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian më 9 qershor. 

Krijimi i pengesave duket se synon edhe veshjen e Belerit me një mantel parregullsie për të përforcuar imazhin që qeveria e Edi Ramës po projekton në Shqipëri për luftë kundër korrupsionit. Madje, është fare e qartë se Rama po pret nëse Beleri do të zgjidhet në zgjedhjet europiane dhe nëse po, çfarë renditje do të arrijë. Zgjedhja e mundshme e Belerit në një nga pozicionet kryesore të listës së kandidatëve europianë të ND-së, qoftë edhe nga burgu, do të jetë një tjetër problem për kryeministrin shqiptar”,- shkruan media greke.

Fredi Beleri i cili garoi nën siglën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet lokale të 14 Majit u arrestua nga policia disa orë para zgjedhjeve pasi u kap duke bërë pazare me votat. Aktualisht Beleri është duke vuajtur dënimin 2 vite burg të dhënë nga Shkalla e Parë, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje. Arrestimi dhe dënimi i tij me 2 vite burg solli reagime të ashpra nga palët greke, të cilat e quajtën vendimin e gjykatës skandaloz dhe jo në përputhje me ligjin. Politikanë të palëve greke kanë kërkuar disa herë lirimin e Belerit, ndërsa vënë në pikëpyetje edhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke thënë se "Rruga e Shqipërisë për në BE, kalon nga Greqia."

 

fredi beleri burg

Sondazh

Poll