Aktualitet

Kokaina e sekuestruar në Portin e Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim "porositësi" (EMRI)

Sipas policisë, sasia prej 7.3 kg kokaine e gjetur në një automjet tip furgon kishte destinacion Anglinë, dhe dyshohet se Cuni do të ishte "pritësi i mallit".

27 Maj 2024, 10:14 Nga B.Z
Kokaina e sekuestruar në Portin e Durrësit, identifikohet dhe shpallet
Pamje nga gjetja e kokainës

DURRËS - Fatbardh Cuni, 37-vjeç është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet si i implikuar në sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar dy ditë më parë në Portin e Durrësit. Sipas policisë, sasia prej 7.3 kg kokaine e gjetur në një automjet tip furgon kishte destinacion Anglinë, dhe dyshohet se Cuni do të ishte "pritësi i mallit".

Si rezultat 37-vjeçari është shpallur në kërkim dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërkohë drejtuesi i furgonit ku u gjet kokaina është vënë në pranga nga Policia.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Vijon operacioni policor i koduar "Pakot", i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me autoritetet doganore të portit.    

Si rezultat i hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim pritësi i 7.3 kg kokainë që u sekuestruan në portin e Durrësit, gjatë operacionit.   

Gjatë operacionit "Pakot", i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike. Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e  Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 

Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. C., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli. Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

policia durres

Sondazh

Poll