Politike

Vdekja e punëtorit në minierën e Martaneshit/ Tabaku: Kambanë alarmi! Statusi i minatorit nuk është në asnjë tryezë diskutimi

Tabaku shkruan se ngjarja është një këmbanë alarmi që duhet të ndjehet nga çdo instancë shtetërore dhe qeverisë. Ajo shton se prej vitesh, statusi i minatorit që njeh të drejta të veçanta për këtë kategori, nuk është pjesë e diskutimeve të asnjë tryeze.

21 Maj 2024, 18:24 Nga B.Z
Vdekja e punëtorit në minierën e Martaneshit/ Tabaku:
Jorida Tabaku

TIRANË - Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të martë në një minierë në Martanesh, ku humbi jetën gjatë orarit të punës 29-vjeçari Armond Peshku dhe u plagos miku i tij Hajdar Balla.

Në një postim në rrjete sociale, Tabaku shkruan se ngjarja është një këmbanë alarmi që duhet të ndjehet nga çdo instancë shtetërore dhe qeverisë. Ajo shton se prej vitesh, statusi i minatorit që njeh të drejta të veçanta për këtë kategori, nuk është pjesë e diskutimeve të asnjë tryeze.

Tabaku thekson se kjo është një ngjarje e përsëritur, ndërsa sipas saj ndërkohë që këto tragjedi zhvillohen, "mazhoranca socialiste ka sjellë vetëm ligje dhe projektligje që luajnë me lehtësime fiskale të rentës minerare që nuk i bëjnë punë zonave me këto pasuri por vetëm pakicës që i kontrollon këto miniera prej ari”.

Reagimi i plotë i Tabakut:

Tragjedia e minierës së Martaneshit ku një 29 vjeçar humbi jetën dhe 3 të tjerë janë të plagosur është një këmbanë që duhet të ndjehet nga çdo instancë shtetërore dhe qeverisë. Ngjarje të tilla janë përsëritëse, tre muaj më parë u shkëputën gurë që plagosën rëndë punëtorët dhe asnjë masë nuk është marrë edhe aq më pak ndonjë ndërhyrje e qeverisë që “feston” me lule socialiste “1 Majin” ndërkohë që ka harruar punëtorët. Një qeveri e pakicës do të thotë që njerëzit e një toke të pasur të mbeten të varfër sepse I forti sundon mbi të dobëtin si në ligjin e xhunglës.

Kësaj i duhet shtuar edhe mënyra se si trajtohen koncesionet në këto pasuri të shqiptarëve dhe së pari të banorëve të asaj zone. Ndërkohë që ende dredhim zinxhirin për të miratuar një nënkomision që do të hulumtojë mbi gjithë kontratat koncesionare e Ministria e Financave fsheh si struci raportin e Koncesioneve dhe PPP-ve, punëtorët e minierave keqtrajtohen si në skllavëri. Të keqpaguar, të pa sigurtë dhe në kushte të papërshkrueshme të punës së përditshme. Duke iu nëpërkëmbur dinjiteti, pa marrë vështirësinë e punës që i takon. Prej vitesh statusi i minatorit që njeh të drejta të veçanta per këtë kategori nuk është pjesë e diskutimeve të asnjë tryeze. Ndërkohë që kjo tragjedi zhvillohet, mazhoranca socialiste ka sjellë vetëm ligje dhe projektligje që luajnë me lehtësime fiskale të rentës minerare që nuk I bëjnë punë zonave me këto pasuri por vetëm pakicës që I kontrollon këto miniera prej ari. Kjo tragjedi nuk është një shkak për të bërë politikë. Në të vërtetë është një këmbanë alarmi që të mos përsëritet më. I qoftë i lehtë dheu të ndjerit Armond Peshku që humbi jetën në kulmin e rinisë.

jorida tabaku minator martanesh

Sondazh

Poll