Bota

VIDEO/ Ushtarët izraelitë tymosin shisha para shpërthimeve masive në Gaza

Në një prej klipeve shihen shkatërrimet e pallateve të banimit pranë spitalit të Al-Quds në zonën Tel al-Hawa, të qytetit të Gazës.

17 Maj 2024, 18:43 Nga E. D
VIDEO/ Ushtarët izraelitë tymosin shisha para shpërthimeve masive
pamje nga vendngjarja

GAZA- Video të disa shpërthimeve të pallateve rezidenciale në Rripin e Gazës janë publikuar në rrjetet sociale nga ushtarë izraelitë. Pamjet ishin postuar nga batalioni xhenier 8219 Commando teksa zhvendoseshin në territorin palestinez, sipas analistëve të rrjetit Bellingcat. Në një prej klipeve shihen shkatërrimet e pallateve të banimit pranë spitalit të Al-Quds në zonën Tel al-Hawa, të qytetit të Gazës.

Në një tjetër video ushtarët izraelitë qëndrojnë në një ballkon teksa prapa tyre ngrihet retë gjigante të tymit të shpërthimeve te komanduara. Por komandot e relaksuar shihet që tymosin shisha dhe ngrejnë gotat e pijes teksa një tjetër shpërthim masiv ndodh në sfond. Gjithashtu ushtria izraelite thotë se po rrafshon lagje të tëra të bombarduara më parë në Gaza që të mos kthehen në komplekse për terroristët. 

"Investigimi i Bellingcat është shumë i besueshëm. Të dhënat tregojnë se ushtria po përdor forcë destruktive ndaj ndërtesave që janë spastruar më parë nga forca të Hamas dhe që nuk janë më një objektiv i vlefshëm ushtarak. Këto ndërtesa nuk përbëjnë kërcënim dhe janë të një natyre civile, prandaj këto veprime përbëjnë shkelje të regullave të konfliktit të armatosur. Pasojë e kësaj është që Rripi i Gazës është tashmë i pabanueshëm”, tha studiuesi Dr Andreas Krieg. 

Gjithashtu aktiviteti batalionit izraelit në Gaza u gjurmua nga rrjeti Bellingcat dhe partnerët e tyre Scripps News me mjete të ndryshme, përfshi dhe postimet e ushtarëve në rrjetin Facebook.

lufta ne gaza

Sondazh

Poll