Politike

Berisha sfidon Ramën: Para se të takosh patronazhistët që ke çuar në Athinë, publiko censusin o Çubrilloviç shqipfolës

Në fjalën e tij në tubimin qytetar poshtë banesës, Berisha i ka bërë thirrje Ramës pak para vizitës që do të zhvillojë në Athinë që të publikojë të dhënat e censusit që sipas tij ka 7 muaj që i manipulon sekret. Berisha shton se Rama dhe keqqeverisja e tij ka zbrazur Shqipërinë dhe ke reduktuar numrin e shqiptarëve në 8 vite me 1.1 milion më pak.

10 Maj 2024, 20:36 Nga B.Z
Berisha sfidon Ramën: Para se të takosh patronazhistët që ke
Sali Berisha

TIRANË - Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Rama, se ky i fundit është përgjegjës për shpopullimin e vendit dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria. Në fjalën e tij në tubimin qytetar poshtë banesës, Berisha i ka bërë thirrje Ramës pak para vizitës që do të zhvillojë në Athinë që të publikojë të dhënat e censusit që sipas tij ka 7 muaj që i manipulon sekret. Berisha shprehet se në Athinë Rama do të takohet me patronazhistët që i ka çuar vetë, ndërsa shton se ky i fundit ka zbrazur Shqipërinë dhe ke reduktuar numrin e shqiptarëve në 8 vite me 1.1 milion më pak.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të dashur miq, a nuk është Edi Rama që dy ditë më parë i quajti emigrantët tanë, mish i freskët me termin më fyes, më poshtërues.Bokasa i Afrikës Qendrore ushqehej me mëlçi të freskëta të fëmijëve. Çfarë është ky fjalor kanibalisti? Ky turpëron të gjallë dhe të vdekur. Turpëron paraardhës dhe pasardhës të këtij vendi. Ndaj dhe Edi Rama, kërko publikisht të falur.Kërko të falur se një fyerje të tillë nuk ua ka bërë ndonjëherë njeri emigrantëve të vet, as Idi Amini i Ugandës, me të cilin ç’është e vërteta, ke disa ngjashmërira sepse ai, ish-boksier, hidhte nokaut ministrat në sallën e mbledhjeve.

Por edhe ti ke gjestet e tua prej mizokeni ndaj ministreve në sallën e mbledhjeve, gjeste të cilat turpërojnë çdo njeri. Edi Rama, para se të shkosh të takosh aktivistët dhe patronazhistë që ke nisur drejt Athinës për të mbushur sallën bosh dhe të braktisur nga diaspora, bëju burrë dhe publikoji nesër të dhënat e censusit që ke 7 muaj që i manipulon sekret. I mban sekret sepse ato tregojnë se ti o vrasës i shpresës së shqiptarëve, ti o Çubrilloviç shqipfolës, ke zbrazur Shqipërinë dhe ke reduktuar numrin e shqiptarëve në 8 vite me 1.1 milion më pak.

Ke përgjysmuar numrin e tyre në 1 milion e katër- pesëqind mijë. Dhe po ta publikosh, çdo shqiptar kur të dëgjojë Shqipëria e vitit 2030, do t’i dridhet trupi, shpirti se do imagjinojë menjëherë Shqipërinë nën 1 milion banorë, në qoftë se do jesh ti në pushtet, që nuk do jesh kurrë. Kurrë! Edi Rama, mos shko se për diasporën, ti je armiku më i egër i qenies kombëtare.

Sepse ti vetëm këto vitet e fundit përzure adoleshentë, të rinj, të mitur, të reja pothuaj njëlloj sa Asadi me luftën e tij civile nga Siria. E ngjite Shqipërinë për përzënien e fëmijëve të vet në shtyllën e turpit të historisë, në vendin e dytë në botë. Si mund të shkosh ti të takosh diasporën, që për çdo shqiptar je figura më e urryer kombëtare?

sali berisha edi rama shpopullim

Sondazh

Poll