Bota

Sekretari Blinken drejt Lindjes së Mesme për bisedime për Gazën, sigurinë rajonale

Sekretari Blinken do të marrë pjesë në takimin në Riad të ministerialit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, një aleancë rajonale e vendeve arabe të ndodhura përqark Gjirit Persik.

28 Prill 2024, 20:09 Nga E. D
Sekretari Blinken drejt Lindjes së Mesme për bisedime për
Antony Blinken

ARABIA SAUDITE- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është nisur drejt Arabisë Saudite për bisedime rajonale që mbahen të hënën dhe të martën, në lidhje me ndihmat humanitare për Gazën, të ardhmen e territoreve palestineze pas përfundimit të luftës, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.

“Sekretari i shtetit do të diskutojë përpjekjet në vazhdim për arritjen e një armëpushimi në Gazë që do të siguronte lirimin e pengjeve dhe përse Hamasi është bërë një pengesë për popullin palestinez dhe për një armëpushim”, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Sekretari Blinken do të marrë pjesë në takimin në Riad të ministerialit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, një aleancë rajonale e vendeve arabe të ndodhura përqark Gjirit Persik.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby i tha të dielën emisionit “This Week” të kanalit televiziv ABC, se Shtetet e Bashkuara po punojnë për arritjen e një armëpushimi gjashtëjavor për luftën gati shtatëmujore në Gazë, mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Bisedimet e armëpushimit kanë vazhduar prej muajsh dhe megjithëse ka sinjale të herëpashershme se arritja e një marrëveshjeje mund të jetë e afërt, zoti Kirby nuk dha ndonjë tregues për përparime të reja në diskutime.

Ai tha se Izraeli i ka siguruar zyrtarët amerikanë se nuk do të dërgojë forca tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa dëgjuar plotësisht shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se një sulm i tillë do të rrezikonte jetët e mbi 1 milion palestinezëve që janë strehuar atje.

Zoti Kirby tha se një port i përkohshëm që po ndërtohet në Detin Mesdhe në bregun e Gazës mund të përfundohet në dy apo tre javë dhe do të mundësojë transportimin e ndihmave më të mëdha humanitare drejt këtij territori të ngushtë, për të ndihmuar palestinezët. Antony Blinken.VOA

antony blinken

Sondazh

Poll