Bota

Shpërthen vullkani në Indonezi, qindra banorë evakuohen

Autoritetet zgjeruan gjithashtu zonën e evakuimit nga katër në gjashtë kilometra rreth kraterit.

17 Prill 2024, 22:08 Nga E. D
Shpërthen vullkani në Indonezi, qindra banorë evakuohen
foto nga vendngjarja

INDONEZI- Një vullkan shpërtheu gjatë natës në veri të Indonezisë të martën dhe detyroi qindra banorë të evakuoheshin, raportuan autoritetet lokale. 

"Bazuar në indikacionet vizuale dhe matjet e instrumenteve, të cilat tregojnë një rritje të aktivitetit vullkanik, niveli i alarmit në malin Ruang është rritur nga 3 në 4", tha Hendra Gunawan, drejtoresha e Shërbimit Vullkanologjik të Indonezisë, në një deklaratë të mërkurën.

Autoritetet zgjeruan gjithashtu zonën e evakuimit nga katër në gjashtë kilometra rreth kraterit. Vullkani Ruang, në verilindje të ishullit Sulawesi, është 725 metra i lartë. Nuk u raportua për viktima, por 800 njerëz u evakuuan nga dy fshatra në ishullin Ruang dhe u dërguan në një ishull fqinj.

Shërbimi i vullkanologjisë tha se banorët e Tagulandang duhet të lëvizin jashtë rrezes prej gjashtë kilometrash të kraterit deri në mbrëmjen e së mërkurës. Hendra Gunawan paralajmëroi gjithashtu banorët që të jenë vigjilentë sepse mund të hidhen gurë nga krateri ose një cunami mund të shkaktohet nga shembja e vullkanit në det.

Nga shpërthimi i parë reja e hirit arriti një lartësi prej 2 kilometrash dhe nga e dyta në 2.5, tha Muhammad Wafid, drejtori i studimit gjeologjik kombëtar. Gjithashtu aktiviteti i vullkanit Ruang u intensifikua pas dy tërmeteve të ndodhura ditët e fundit.

hendra gunawan

Sondazh

Poll