Bota

"Vrasja e 25 fëmijëve, qëllim gjenocidal i Serbisë", Osmani: Ata që kanë urdhëruar masakrën e Poklekut kanë marrë medalje nga Vuçiç

Osmani tha se masakra në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme dhe mizore që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave e foshnjave.

17 Prill 2024, 12:58 Nga M.B
"Vrasja e 25 fëmijëve, qëllim gjenocidal i
Glauk Konjufca dhe Vjosa Osmani

KOSOVA- Teksa shënohet 25 vjetori i masakrës në fshatin Poklek i Vjetër të Komunës së Drenasit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bënë homazhe pranë varreve të të vrarëve, ndërsa u shprehën se ky përvjetor është ndër më të rëndit për Kosovën. Osmani tha se masakra në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme dhe mizore që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave e foshnjave. Ajo tha se kriminelët, jo vetëm që nuk janë dënuar, por po marrin medalje e po promovohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Sot më 17 prill është një prej përvjetorëve më të rëndë për Republikën e Kosovës, për shkak se përkujtojmë shumë nga masakrat e kryera ndaj civilëve e këtu në Poklek, është ndër masakrat më të tmerrshme, më mizore, një holokaust për nga ngjashmëria dhe mizoria, që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave, njerëzve të pambrojtur, ndaj foshnjave gjashtë muajshe. Në Poklek, në shtëpinë që do ta vizitojmë së shpejti, janë djegur disa herë radhazi civil, të cilët nuk u kursyen pavarësisht moshës. Janë ekzekutuar foshnjet siç e thashë edhe fëmijë të cilët e tëra çfarë donin dhe prisnin ishin të jetojnë të sigurtë, të jetojnë me prindërit e tyre dhe të jetojnë të lirë.

Viktima më e vogël e kësaj masakre kishte emrin Liri, gjashtë muajshe, si simbolikë për sakrificën që edhe liria por edhe gjitha familja e saj do ta bënin në mënyrë që ne sot të jetojmë të lirë. Në këtë përvjetor dhe çdo përvjetor tjetër, thirrja jonë është për drejtësi. Ata që kanë urdhëruar për këtë masakër dihen me emër dhe mbiemër. Qendra për të Drejtat Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë dite ishte në krye të forcave policore, që kanë djegur dhe ekzekutuar këto familje. Por, për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë dënuar, por kanë marrë medalje dhe promovime nga Aleksandër Vuçiç, i cili sot është në krye të Serbisë“, tha Osmani.

Nga ana tjetër, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se sot bëhen 25 vjet nga masakra më e tmerrshme që ka ndodhur në Kosovë. Konjufca tha se vrasja e 25 fëmijëve në këtë masakër, tregon qëllimin e vërtetë gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e popullit të Kosovës.

“Po bëhen 25 vjet prej kur ka ndodhur njëra nga masakrat më të tmerrshme në Republikën e Kosovës. Pra, këtu 25 vjet më parë ndodhi një prej akteve të rëndë të gjenocidit që Serbia okupatorë i kreu mbi popullatën tonë civile. Nga 54 që i vrau, 25 ishin fëmijë, këtu në Poklek, gjë që e tregon qëllimin e vërtetë gjenocidal të Serbisë, sepse gjithkush e shtron pyetjen e natyrshme, çfarë faji kishin fëmijët që t’i vrajë Serbia? Të vetmin faj në thonjëza, që ata e kishin ishin pse ishin shqiptarë.

Kjo ishte arsyeja pse ishin ekzekutuar ata, gjë që tregon se qëllimi përfundimtar i Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë. Kurse ne, jo vetëm që e kujtojmë me pikëllim këtë masakër, por edhe ndihemi të poshtëruar si popull meqenëse nuk erdhi kurrë drejtësia për këto krime që i kryen forcat e armatosura serbe të ushtrisë dhe policë”, tha Konjufca.

vrasja e grave ne kosove

Sondazh

Poll