Aktualitet

Pezullimi i 4 punonjësve të Bashkisë së Korçës për favorizim për përfitime personale, policia: Dëm ekonomik ndaj shtetit me mbi 30 mln lekë

Ata dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi individual subjekte dhe individë të veçantë, duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe komplekset e luksit në lagjet 1, 2, 3 11, 12 të qytetit të Korçës në masë më të ulët se sa duhej të paguhej.

10 Prill 2024, 11:39 Nga M.B
Pezullimi i 4 punonjësve të Bashkisë së Korçës
Foto ilustruese

KORÇA- Zhaneta Lubonja, Ermal Gjermani, Olvas Petro dhe Soniel Prifti, të katërt punonjës të Bashkisë Korçë, të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, në Sektorin e Kontrollit të Zhvillimit të Territorit që merren me shqyrtimin e kërkesave për leje, janë pezulluar nga detyra. Ndaj tyre u caktua masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Lidhur me këtë rast ka reaguar dhe policia, ku në njoftim saktëson veprat penale për të cilat dyhohet secili prej 4 punonjësve.

"Nga hetimet rezulton se kjo paligjshmëri iu ka sjellë subjekteve përfitime të padrejta monetare dhe i ka sjellë shtetit dëm ekonomik me vlerë mbi 30 milionë lekë", thuhet në njoftim.

Ata dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi individual subjekte dhe individë të veçantë, duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe komplekset e luksit në lagjet 1, 2, 3 11, 12 të qytetit të Korçës në masë më të ulët se sa duhej të paguhej.

 

Njoftimi:

DVP Korçë

Ekzekutohen masat e sigurisë "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" dhe "Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", për 4 funksionarë të bashkisë Korçë.

Masat e sigurisë, rezultat i hetimit të ndjekur për 16 muaj, nga Policia dhe Prokuroria e Korçës, mbi akuza për shpërdorim të detyrës dhe moskallëzim të krimit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, pas një hetimi intensiv 16-mujor, të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, ekzekutuan masat e sigurisë "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" dhe "Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", për shtetasit:

-Zh. L., 61 vjeçe, banuese në Korçë, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, në bashkinë Korçë, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-E. Gj., 52 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Përgjegjës i Sektorit pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, në bashkinë Korçë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-O. P., 37 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Specialist Buxheti në këtë drejtori, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-S. P., 44 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në bashkinë Korçë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 26.03.2024, ka caktuar këto masa sigurie për 4 shtetasit, sepse dyshohet se kanë shpërdoruar detyrat për të favorizuar subjekte të ndryshme, për mospagimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja. Nga hetimet rezulton se kjo paligjshmëri iu ka sjellë subjekteve përfitime të padrejta monetare dhe i ka sjellë shtetit dëm ekonomik me vlerë mbi 30 milionë lekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

arrestime ne korce

Sondazh

Poll