Politike

Arrestimi i drejtorit të IT-së në polici, reagon Salianji: Konfirmon ndërhyrjet në TIMS! Dëshmitari i parë në planin e Komisionit Hetimor

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji u shpreh se kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Muçës, është konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës.

9 Prill 2024, 21:34 Nga N.F
Arrestimi i drejtorit të IT-së në polici, reagon Salianji:
Salianji

TIRANË- Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me  arrestimin e Drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça të cilin e ka cilësuar si rezultati i parë i punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji u shpreh se kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Muçës, është konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës.

Ai shkruan se arrestimi i sotëm i vonuar nuk e shmang dot përballjen e Ervin Muçës dhe çdo shkelësi tjetër për t’u përballur me drejtësinë por dhe me dëshminë në komision. Salianji shtoi se do ti shkojnë deri në fund hetimit parlamentar, për të hedhur dritë sidomos mbi urdheruesit e ketij krimi.

Shkrimi i plotë:

Arrestimi i Drejtorit të IT në policinë e shtetit, dëshmitari i parë i listuar në planin paraprak të hetimeve të Komisionit Hetimor, Ervin Muça, është rezultat i parë i punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS dhe konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës! Mohimi i Edi Ramës për shqetësimin e ambasadës së SHBA për ndërhyrjen në sistemin TIMS, nxjerr zbuluar urdhëruesit e këtij akti! Ndërhyrja ka qenë me urdhër dhe për qellime qartësisht kriminale!


Arrestimi i sotëm i vonuar nuk e shmang dot përballjen e Ervin Muçës dhe çdo shkelësi tjetër për t’u përballur me drejtësinë por dhe me dëshminë në komision, për një akt që cënon në thelb sigurinë kombëtare! Ky është i pari, ne do ti shkojmë deri në fund hetimit parlamentar, për të hedhur dritë sidomos mbi urdheruesit e ketij krimi.

Uroj që arrestimi mos jetë truk për të penguar hetimin e plotë dhe nxjerrjen para përgjegjësisë së urdhëruesve, shkelësve të ligjit dhe krimineleve përfitues nga ky akt”. Prokuroria e Tiranës kërkon “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për drejtorin e IT, Ervin Muça i cili eksportoi bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin Ervin Muça, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike".

salianji tims ervin muca

Sondazh

Poll