Sport

'Foshnja' Cubarsi: "Puyol dhe Pique janë idhujt e mi. Mezi presim të luajmë me PSG"

“Ronald Araujo më ndihmon shumë taktikisht dhe personalisht. Ndërkohë Joao Cancelo, i cili është një nga anëtarët më humoristë të skuadrës, të sjell gjithmonë gëzim dhe më bën të lumtur”.

20 Mars 2024, 10:30 Nga DOSJA

SPANJE - "Unë po jetoj një ëndërr të vërtetë,"- shprehet Pau Cubarsi. Mbrojtësi 17-vjeçar është bërë pjesë integrale e mbrojtjes së Xavi te Barcelona. 

‘Foshnja’ e qendrës foli për kanalet zyrtare të klubit, si më poshtë: "Për momentin po e përballoj me shumë qetësi. Familja dhe miqtë më ndihmojnë të mbaj këmbët në tokë, gjë që është thelbësore. Dhe kjo më lejon të jetoj me më shumë qetësi në gjithçka që më ndodh.

Është një krenari e vërtetë të vesh fanelën e jetës sime. Por kur dal në fushë nuk mendoj për moshën time. Ndihem si një lojtar tjetër, që dëshiron të ndihmojë ekipin dhe në këtë mënyrë përpiqem të jap gjithçka. 

Kur je lojtar i Barçës, gjithmonë e ke atë presion shtesë, sepse të veshësh këtë simbol dhe këtë fanelë është gjëja më e rëndësishme në botë. Pra, ne luajmë me presion, por mendoj se kjo na bën futbollistë më të mirë.

Gjithmonë kam thënë se idhujt e mi janë Puyol dhe Pique. Kur isha i vogël i shikoja duke luajtur në TV dhe më pëlqente shumë stili i tyre. I përfytyroj shumë shfaqjet e tyre. Ne jemi një grup shumë i bashkuar, një ekip i madh. 

Por mbi të gjithë është Ronald Araujo, që më ndihmon shumë taktikisht dhe personalisht. Ndërkohë Joao Cancelo, i cili është një nga anëtarët më humoristë të skuadrës, të sjell gjithmonë gëzim dhe më bën të lumtur.

Champions League? Dy janë sfidat tona kryesore: të përpiqemi të fitojmë Champions League, si gjithmonë, dhe të mos heqim dorë nga kampionati. Kanë mbetur edhe shumë ndeshje. Ne jemi Barça dhe duhet të luftojmë deri në fund. 

Nuk kam asnjë dyshim se do ta bëjmë këtë. PSG? Nuk mund të presim. Pas kaq vitesh pa arritur në çerekfinale, do të japim gjithçka. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur për një tifoz dhe shumë e bukur për lojtarët, sepse ajo të shtyn në kufi. Ne duam të japim maksimumin për të shkuar në gjysmëfinale”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll