Bota

Aktivistit të burgosur rus i kërkohet të luftojë në Ukrainë

Orlov, lider i grupit për të drejtat e njeriut Memorial, i cili e ka fituar çmimin Nobel për Paqe më 2022, u dënua muajin e kaluar me dy vjet e gjysmë burgim për gjoja "përbuzjen e forcave të armatosura”, pasi kishte marrë pjesë në demonstratat kundër luftës dhe e kishte publikuar një shkrim në të cilën tha se Rusia ishte zhytur në fashizëm.

15 Mars 2024, 12:37 Nga S.N
Aktivistit të burgosur rus i kërkohet të luftojë në
Oleg Orlov

UKRAINË- Aktivistit të burgosur rus për të drejtat e njeriut, Oleg Orlov, i është kërkuar ta nënshkruajë një formular që thotë se ai është i gatshëm të luftojë në Ukrainë, megjithëse është 70-vjeçar, tha të premten organizata e tij.

Orlov, lider i grupit për të drejtat e njeriut Memorial, i cili e ka fituar çmimin Nobel për Paqe më 2022, u dënua muajin e kaluar me dy vjet e gjysmë burgim për gjoja "përbuzjen e forcave të armatosura”, pasi kishte marrë pjesë në demonstratat kundër luftës dhe e kishte publikuar një shkrim në të cilën tha se Rusia ishte zhytur në fashizëm.

Memorial tha se Orlovit iu kërkua në një qendër paraburgimi, ku është duke u mbajtur tani për tani, ta nënshkruajë formularin i cili thotë se ai është i gatshëm të marrë pjesë në “operacionin e posaçëm ushtarak” të Rusisë në Ukrainë. Ky grup nuk tregoi se kush i kishte kërkuar saktësisht ta nënshkruajë atë dokument.

Orlovi pyeti duke qeshur nëse ata e kishin bezdi moshën e tij, këtë vit ai do t’i mbushë 71 vjet. Ata u përgjigjën se nuk i bezdiste asgjë, tha Memorial. “Orlov, natyrisht, shkroi: ‘Nuk pajtohem’”.

Dhjetëra mijëra të burgosur rusë janë regjistruar për të luftuar për ushtrinë ruse, ose si mercenarë në Ukrainë, prej se Moska e nisi pushtimin e shtetit fqinj para dy vjetëve. Nuk është e qartë nëse ftesa për Orlovin ishte serioze, apo kishte për qëllim ta frikësonte atë.

Memorial, i themeluar më 1989 për t’i dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Bashkim Sovjetik, e ka cilësuar rastin gjyqësore kundër Orlovit si tentim për t’ia mbyllur gojën lëvizjes për të drejtat e njeriut në Rusi. Ky grup tha se Olevi po mësohet me jetën në një qeli të vogël së bashku me 10 persona të tjerë dhe se të burgosurit e tjerë po e trajtojnë atë me respekt dhe po i drejtohen me fjalën “batya”, një emër përkëdhelës për babanë.

Marrë nga REL

oleg orlov rusi ukraine

Sondazh

Poll