Bota

Një armëpushim mund të ndodhë brenda 24 deri 48 orëve, nëse Izraeli pranon kërkesat e Hamasit

Ndërkohë, një delegacion i Hamasit mbërriti sot në Kajro për të marrë pjesë në bisedimet për arritjen e armëpushimit në Gaza, sipas një zyrtari të lartë.

3 Mars 2024, 11:02 Nga E. D
Një armëpushim mund të ndodhë brenda 24 deri 48 orëve,
foto ilustruese

GAZA- Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha sot se një armëpushim në Rripin e Gazës mund të jetë i mundur në 24 deri në 48 orët e ardhshme nëse Izraeli pranon kërkesat e grupit. 

"Nëse Izraeli pranon kërkesat e Hamasit, të cilat përfshijnë kthimin në Rripin verior të Gazës të palestinezëve të zhvendosur dhe një rritje të ndihmës humanitare, mund të hapet rruga për një marrëveshje brenda 24 ose 48 orëve të ardhshme," tha zyrtari. 

Ndërkohë, një delegacion i Hamasit mbërriti sot në Kajro për të marrë pjesë në bisedimet për arritjen e armëpushimit në Gaza. Delegacioni kryesohet nga nënkryetari i Hamasit në Gaza, Khalil al-Haya.

Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite njoftoi sot se ka intensifikuar operacionet e saj në qytetin Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës, duke shkatërruar dhjetëra objektiva të Hamasit me sulme ajrore dhe artilerie.Forcat ajrore dhe artileria izraelite goditën rreth 50 objektiva në gjashtë minuta, shpjegoi ushtria, në një përpjekje për të forcuar sukseset operacionale në zonë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së civilëve palestinezë në Rripin e Gazës në mes të operacioneve të vazhdueshme ushtarake izraelite dhe pas incidentit të përgjakshëm gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare të enjten. Këshilli shprehu shqetësim të thellë se e gjithë popullsia e Rripit të Gazës, më shumë se dy milionë njerëz, mund të përballet me nivele alarmante të pasigurisë ushqimore.

Ministria e Shëndetësisë e Hamasit akuzoi ushtarët izraelitë se qëlluan dhe vranë të paktën 115 njerëz dhe plagosën 760 të tjerë teksa vraponin për të marrë ndihma humanitare. Ushtria izraelite u përgjigj se civilët vrapuan drejt kamionëve që transportonin ndihmat dhe dhjetëra prej tyre u shkelën. Ai shtoi se po hetohet për ngjarjen. Këshilli i Sigurimit në deklaratën e tij i është shmangur caktimit të përgjegjësisë për incidentin. Thuhet vetëm se kishte përfshirje të forcave izraelite kur një turmë njerëzish rrethuan një autokolonë që transportonte ndihma humanitare në jugperëndim të qytetit të Gazës.

lufta izrael-palestine

Sondazh

Poll