Bota

Autoritetet suedeze: Rreth 62,000 persona janë të lidhur me bandat kriminale në vend

Suedia është një vend ku autoritetet kanë luftuar për vite me radhë për të kontrolluar dhunën e lidhur me krimin e organizuar.

23 Shkurt 2024, 13:36 Nga M.B
Autoritetet suedeze: Rreth 62,000 persona janë të lidhur me bandat
Një oficer policie qëndron pranë shiritit të policisë në Tullinge në Botkyrka, pranë Stokholmit, Suedi

STOCKHOLM- Rreth 62,000 persona janë aktivë ose kanë lidhje me rrjetet kriminale në Suedi, tha policia atje ditën e sotme. Suedia është një vend ku autoritetet kanë luftuar për vite me radhë për të kontrolluar dhunën e lidhur me krimin e organizuar. Të shtënat vdekjeprurëse janë më shumë se trefishuar gjatë dekadës së fundit në këtë vend nordik prej 10 milionë banorësh dhe aktualisht janë në nivele shumë më të larta se vendet fqinje.

"Ne kemi identifikuar 14,000 si aktivë në rrjetet kriminale. Duke kaluar te personat me lidhje me këto rrjete, këtu vlerësojmë se janë 48,000 persona”, tha Komisionerja e Policisë Kombëtare Petra Lundh në një konferencë për media. 

"Në vitin 2022, pati 62 të shtëna vdekjeprurëse në Suedi. Në vitin 2023, megjithëse numri i të shtënave vdekjeprurëse ra pak, shifrat paraprake tregojnë se Suedia kishte nëntë herë më shumë të shtëna vdekjeprurëse sesa Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda së bashku”, shtoi Ministri i Drejtësisë Gunnar Strommer.

Në të njëjtën kohë, numri i sulmeve që përfshinin eksploziv ishte më i larti i regjistruar, tha ai.

“Po flasim për krime kërcënuese për sistemin me një prirje të lartë ndaj dhunës që mbyll gojën e dëshmitarëve, kërcënon punonjësit socialë, depërton në autoritete dhe parti politike, që merret me drogë, kundër të moshuarve dhe sistemet tona të mirëqenies”, tha Strommer për rrjetet kriminale.

suedia krimi

Sondazh

Poll