Bota

Ministrat e Jashtëm të BE-së bien dakort për angazhim të një misioni detar në Detin e Kuq

I quajtur Aspided [Mburoja] sipas një fjale të vjetër greke, misioni nënkupton se evropianët do të dërgojnë anije luftarake dhe sisteme të paralajmërimit të hershëm në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe ujërat përreth.

19 Shkurt 2024, 12:23 Nga M.B
Ministrat e Jashtëm të BE-së bien dakort për angazhim
Foto ilustruese

BRUKSEL- Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar për të angazhuar një mission detar për t’i mbrojtur anijet prej militantëve të Huthëve në Detin e Kuq, kanë thënë të hënën disa diplomatë për agjencinë e lajmeve dpa. I quajtur Aspided [Mburoja] sipas një fjale të vjetër greke, misioni nënkupton se evropianët do të dërgojnë anije luftarake dhe sisteme të paralajmërimit të hershëm në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe ujërat përreth. Pjesëtarët e misionit kanë urdhër që të gjuajnë me armë kundër militantëve, vetëm nëse ata sulmojnë të parët. Komanda operacionale do të jetë në qytetin grek Larisa. Militantët e Huthëve prej Jemenit, janë duke sulmuar anijet në rajon, si shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Një zyrtar i BE-së ka thënë të premten se shteti më i dëmtuar prej këtyre veprimeve nuk është Izraeli por Egjipti, pasi zvogëlimi i trafikut ka shkaktuar 40 për qind humbje të të hyrave për Autoritetin e Kanalit të Suezit.

Edhe ekonomia e BE-së është thënë të jetë dëmtuar këtë periudhë. Komisionari i BE-së për Ekonomi, Paolo Gentilioni, u ka thënë gazetarëve ditë më parë se “meqë anijet janë detyruar të ndryshojnë rrugën në dërgesat mes Azisë dhe BE-së, edhe çmimet e këtyre dërgesave janë rritur për gati 400 për qind”. Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq janë si shenjë solidarizimi me Gazën, ku militantët e Hamasit, të përkrahur nga Irani, janë në luftë me Izraelin për më shumë se tre muaj. Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Rreth 12 për qind e tregtisë globale kalon përmes Ngushticës Bab al-Mandeb, hyrjes në Detin e Kuq përmes jugperëndimit të Jemenit dhe Xhibutit, mirëpo sulmet e rebelëve kanë shkaktuar çrregullim të madh të trafikut, duke detyruar shumë anije të marrin rrugë alternative rreth Afrikës./ REL

be deti i kuq

Sondazh

Poll