Sport

Rúben Dias flet me fjalë të ëmbla për bashkatdhetarin e tij te City dhe vazhdimi i serialit: "Bernardo nuk shkon askund!”…

Qendra e Manchester Cityt është “i lumtur”, që mesfushori Bernardo Silva rinovoi kontratën verën e kaluar

15 Shkurt 2024, 17:03 Nga DOSJA
Rúben Dias flet me fjalë të ëmbla për bashkatdhetarin

ANGLI - Rúben Dias shpreson që Bernardo Silva të qëndrojë te Manchester City për shumë vite.  Qendërmbrojtësi portugez kujton, në një prononcim për gazetën ‘The National’, në Emiratet e Bashkuara Arabe, se çdo verë mesfushori konsiderohet i transferueshëm, në një ‘serial’, që ai e ka titulluar me shaka: “Bernardo nuk shkon askund”.

“Në një moment verën e kaluar mendova se mund të largohej, por tashmë i thashë që çdo verë kemi serialin ‘Bernard nuk shkon askund’. Çdo vit ka një episod të ri. U gëzova shumë që ai e rinovoi. Bernardo është pikërisht lloji i lojtarit që duhet të keni pranë”, shpjegoi ndërkombëtari portugez.

"Është e padrejtë për mua të shpjegoj se sa i mirë është ai, sepse ne jemi të dy portugezë dhe kemi një lidhje të veçantë. Por ai është një lojtar i veçantë për ne, para së gjithash sepse është shumë inteligjent.

Për shkak të personalitetit të tij, njerëzit mund të mendojnë këtë apo atë, por kur gjërat ndërlikohen, Bernardo është gjithmonë aty. Mund të mbështeteni tek ai. Ai ka cilësi të shkëlqyera, mund të luajë në shumë pozicione të ndryshme. Ai mund të zgjidhë disa probleme në ekip,"- vazhdoi ai.

Rúben Dias vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Bernardo Silvës në prapaskenë të Cityt. "Ai ka një personalitet të madh në dhomën e zhveshjes. Ai ka qenë një lojtar i madh për një kohë të gjatë, ndonjëherë njerëzit e harrojnë këtë. Lojtarët e dinë këtë, por ndoshta ai është nënvlerësuar. Ai nuk është si Ilkay Gundogan, kur ishte atje.

Lojtarët e tjerë bëjnë shumë tituj, por Bernardo është gjithmonë aty. Lojtarët që asistojnë dhe shënojnë gola janë më të spikaturit, kështu funksionojnë gjërat. Por kur analizon pse kemi fituar kaq shumë vitet e fundit, shfaqet emri i Bernardos."

Kujtojmë që verën e kaluar Bernardo Silva ishte në axhendën e Barcelonës, por përfundoi duke rinovuar kontratën me Manchester Cityn në shtator, deri në vitin 2026.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll