Bota

FOTO/ Digjet dordoleci i Vuçiç dhe Putin në karnavalet në Kroaci, presidenti serb: Po ta bënim ne do na ishte kthyer e gjithë Europa

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç kanë komentuar karnavalet në Kastela të Kroacisë.

14 Shkurt 2024, 16:55 Nga M.B
FOTO/ Digjet dordoleci i Vuçiç dhe Putin në karnavalet
Karnavalet në Kroaci

KROACIA- Ditën e djeshme banorët e Kastelit, në Kroaci mbajtën karnavalin e tyre të 211-të Donjokaštelan, ku në fund u panë të digjeshin dordolecët e improvizuar si personazhet e Don Kishotit dhe Sanço Panços me fytyrat e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Presidentit rus, Vladimir Putin. Vuçiç sot ka marrë pjesë në prezantimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të ushtrisë serbe në Nish, ku ka komentuar ngjarjen e djeshme në Kastela duke thënë se po ta bënin serbët këtë veprim, do u ishte kthyer e gjithë Europa.

"Është tradicionale që të digjen. Unë nuk do të ankohem për këtë. Po ta kishim bërë ne, Zoti na ruajt, do të na ishte kthyer gjithë Europa, këto janë standardet tuaja të dyfishta, asgjë e veçantë. Kur e di që ma kanë djegur shtëpinë, është e vogël që i kanë vënë flakën edhe kukullës! I uroj suksese, gjithçka që mund të bëjnë është të djegin kukulla. Lërini, le t'i djegin kukullat, le të luajnë", tha Vuçiç.

Së bashku me presidentin serb, karnavalet e djeshme në Kastela i ka komentuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç i cili dënoi djegien e figurës së presidentit serb në karnaval dhe i dërgoi një notë proteste Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Beograd.

“E dënoj fuqishëm incidentin që ndodhi më 13 shkurt 2024, gjatë procesit tradicional të karnavaleve, në fshatin Kastel Stari në Republikën e Kroacisë”, tha Daçiç.

Sipas tij, djegia e një kukulle me fytyrën e presidentit të Serbisë është një akt absolutisht i papranueshëm, i cili është në kundërshtim të plotë me përkushtimin e shprehur bashkërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe përmirësimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes dy vendeve.

“Ky akt skandaloz i përhapjes së urrejtjes dërgon një mesazh që në asnjë mënyrë nuk kontribuon në forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe dëmton drejtpërdrejt dhe seriozisht marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Daçiç.

kroacia vucic vladimir putin

Sondazh

Poll