Bota

LETRA E PLOTË/ Çfarë i kërkoi Biden Presidentit Aleksandër Vuçiç, nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën te falenderimi për Ukrainën

Sipas Biden, marrëveshja për normalizim dhe zbatim me Kosovën është thelbësore për një të ardhme paqësore për Serbinë.

14 Shkurt 2024, 12:42 Nga I.A
LETRA E PLOTË/ Çfarë i kërkoi Biden Presidentit
Joe Biden dhe Aleksander Vucic

SERBI- Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar një letër urimi presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për ditën kombëtare të Serbisë më 15 shkurt. Në letër përveç urimeve për popullin serb, Presidenti Biden i ka kushtuar një rëndësi dhe ndërtimit të një Ballkani Perëndimor të sukseshëm dhe të qëndrueshëm.

Dhe që kjo të bëhet, Biden ka theksuar se Serbia duhet që të vazhdojë me progres në dialogun me Kosovën. Sipas Biden, marrëveshja për normalizim dhe zbatim me Kosovën është thelbësore për një të ardhme paqësore për Serbinë. Po ashtu Biden nuk ka lënë dhe pa përmendur në letër luftën në Ukrainë dhe mbështetjen që Serbia i dha duke njohur integritetin territorial të Ukrainës. 

Letra e Plotë:

“I nderuar zoti President, Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet më të mira për ju dhe popullin serb me rastin e kremtimit të Ditës Kombëtare më 15 shkurt. Ndërtimi i një Ballkani Perëndimor më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, dhe gjatë vitit të ardhshëm pres me padurim avancimin e këtij qëllimi duke forcuar sigurinë energjetike rajonale dhe duke zgjeruar lidhjet tona ekonomike.

Forcat tona të armatosura vazhdojnë të shërbejnë krah për krah në Sinai, duke rritur paqen dhe sigurinë rajonale. Pjesëmarrja e Serbisë në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ishte gjithashtu vendimtare për mbështetjen e stabilitetit në pjesë të tjera të botës. Dhe, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë mbështetjen që Serbia i dha Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial kur u përball me një pushtim brutal rus.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt këtij qëllimi. Gjithashtu, inkurajoj Serbinë që të vazhdojë me progresin e vitit të kaluar në Dialogun me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja. Marrëveshja për normalizim dhe zbatim paraqet hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën.”

joe biden aleksander vucic

Sondazh

Poll