Aktualitet

Furnizoheshin nga Shqipëria/ Goditen dy organizata të trafikut të drogës në Itali, krerët dhe anëtarët e grupeve ishin shqiptarë

Kryetari i grupit të Torinos ishte një shqiptar 58-vjeçar i cili jetonte në Torino prej më shumë se 20 vitesh

6 Shkurt 2024, 20:49 Nga S.N
Furnizoheshin nga Shqipëria/ Goditen dy organizata të trafikut të
foto ilustruese

ITALI- Policia italiane ka shpërbërë dy organizata të trafikut të drogës në Itali, ku përfunduan në pranga rreth 24 persona. Organizatat bazën e trafikut e kishin në Torino dhe Alessandria, ndërkohë që operacioni policor për goditjen e tyre u krye në pesë rajone: Piemonte, Lombardi, Emilia Romagna, Toskana dhe Abruzzo.  

Kryetari i grupit të Torinos ishte një shqiptar 58-vjeçar i cili jetonte në atë qytet prej më shumë se 20 vitesh. Ky grup ishte një rrjet i konsoliduar i furnizimit dhe shpërndarjes të drogës.

Gjatë hetimeve, u arrit të identifikohej një organizatë e dytë me bazë në Alessandria, që furnizonte torinezin me sasi të mëdha lende narkotike. Kryetari i grupit të dytë ishte një 39-vjeçar shqiptar, i cili gjithashtu kishte mbi 20 vite që banonte në zonën e Alessandrias, shkruajnë mediat italiane. 

39-vjeçari mbante kontakte të drejtpërdrejta me furnitorët, me banim në Shqipëri, dhe vendoste sasitë që do të futeshin në Itali, në bazë të nevojave të tregut. Organizata, e cila trafikonte jo vetëm kokainë, por edhe hashash dhe marijuanë, ishte përgjegjëse për kryerjen e përhershme të shitjeve të drogës në Piemonte (provincat e Torinos, Alessandria dhe Novara) dhe herë pas here edhe në Lombardi (provincat e Pavia, Milano dhe Brescia) dhe Francë.

Të dy grupet kriminale kishin akomodime dhe vende të përshtatshme për fshehjen e lëndës narkotike dhe një sistem për transportimin dhe shpërndarjen e tyre, duke përdorur edhe automjete të modifikuara të pajisura me fund të veçantë të dyfishtë.

Gjatë hetimeve u sekuestruan gjithsej rreth 45 kg kokainë, 150 kg marijuanë, 1.5 kg hashash dhe 900 mijë euro cash. Sasitë e lëndëve narkotike të sekuestruara, nëse do të vendoseshin në tregun “me pakicë”, mund të kishin sjellë të ardhura të paligjshme prej të paktën 6 milionë eurosh.

itali policia italiane

Sondazh

Poll