Bota

Vrau 71 persona në 2011, Breivik hedh në gjyq shtetin norvegjez për trajtim çnjerëzor dhe poshtërues

Në padinë kundër shtetit norvegjez, avokati i Breivik i referohet periudhës së gjatë të izolimit dhe mungesës së kontaktit të vërtetë njerëzor që tani përkthehet në dëme psikologjike për klientin e tij, i cili tashmë ka prirje vetëvrasëse.

8 Janar 2024, 19:11 Nga A.TH

 

Vrau 71 persona në 2011, Breivik hedh në gjyq shtetin norvegjez
anders behring breivik

OSLO- Neonazisti norvegjez Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 persona në vitin 2011, po padit sërish shtetin norvegjez, duke u ankuar për izolimin e tij në burg. I burgosur në një burg të sigurisë maksimale, Breivik beson se izolimi i tij për gati 11 vjet shkel nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon dënimin çnjerëzor dhe poshtërues.

 

Më 22 korrik 2011, Breivik, vrau 71 persona, shumica e të cilëve të rinj, kur hapi zjarr në një kamp veror të të rinjve të Partisë Laburiste në ishullin e Utojës. Ai është dënuar në vitin 2012 me dënim maksimal prej 21 vitesh burg me mundësi vazhdimi të dënimit, shkruajnë mediat e huaja. 

“Që atëherë, ai ka qëndruar në izolim dhe me kalimin e kohës, kjo përbën shkelje të Konventës”, deklaroi avokati i tij në tetor. Në padinë kundër shtetit norvegjez, avokati i Breivik i referohet periudhës së gjatë të izolimit dhe mungesës së kontaktit të vërtetë njerëzor që tani përkthehet në dëme psikologjike për klientin e tij, i cili tashmë ka prirje vetëvrasëse.

Sipas avokatit, Breivik është i varur nga anti-depresivi Prozac për të kaluar aditët e tij në burg. Breivik, argumenton avokati i tij, ka kontakte vetëm me dy të burgosur të tjerë, të cilët i takon për një orë çdo dy javë nën mbikëqyrje të ngushtë dhe me zyrtarët e burgut. Duke iu referuar një tjetër nen të Konventës që garanton të drejtën e korrespondencës, neonazisti norvegjez kërkon gjithashtu që të zbutet filtrimi i korrespondencës së tij me botën e jashtme.

Në vitin 2016, Breivik apeloi kundër shtetit norvegjez dhe, për habinë e të gjithëve, u shfajësua në shkallën e parë. Por më pas ankesa e tij u refuzua, ndërsa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e vendosi ankesën e tij të papranueshme në vitin 2018. Për arsye sigurie, gjyqi i ri po mbahet nga sot për pesë ditë në palestrën e burgut Ringerike. Mediat e huaja shkruajnë se Breivik ka një sërë kushtesh në qelinë e tij, si një apartament me shumë dhoma, kuzhinë, TV, lojëra, palestër, kjo si një mënyrë që shteti tí japë mundësinë e riintegrimit. Avokati i shtetit norvegjez thotë se Breivik nuk ka shfaqur asnjë problem fizik dhe mendor për të justifikuar pretendimet e avokatit.

anders behring breivik

Sondazh

Poll