Sport

Lajmi më i keq për të nisur 2024: Mallorca edhe një muaj pa Vedat Muriqin...

Ai u dëmtua me kombëtaren e Kosovës më 12 nëntor, parashikimi ishte të rikuperohej maksimumi në gjashtë javë, por Aguirre tregon se ai nuk do të rishfaqet deri në shkurt

3 Janar 2024, 10:35 Nga DOSJA
Lajmi më i keq për të nisur 2024: Mallorca edhe një muaj pa

SPANJE - Është pa dyshim një lajm që askush nuk e priste në fillimin e vitit. Këtë e ka bërë të ditur vetë Javier Aguirre, në një konferencë për shtyp pasditen e djeshme para udhëtimit për në “Santiago Bernabeu”: Vedat Muriqi, i dëmtuar më 12 nëntor, pas një përplasjeje ndërkombëtare me Kosovën, do të qëndrojë jashtë edhe për një muaj. 

Ishte planifikuar që golashënuesi më i mirë i Mallorcas, të rikuperohej për më 13 janar, kundër një rivali të drejtpërdrejtë për qëndrueshmëri si Celta, por trajneri meksikan ka qenë i qartë.

Kreu i shërbimeve mjekësore të klubit do të jetë i ngarkuar për të vendosur se kur duhet të rishfaqet “vrasësi” i Balerikëve, por Aguirre e ka të qartë se deri në shkurt duket e vështirë ta llogarisë sulmuesin e tij. 

“Doktori mund t'ju japë përgjigjen më të mirë, por nuk mendoj se ai mund të luajë në janar, sepse ne kemi qenë konservatorë me të dhe mendoj se kemi bërë mirë. Është një dëmtim i çuditshëm. Vedati nuk është rikuperuar shpejt apo ngadalë, por dyshoj se mund ta shohim në këtë muaj janar”,- tha trajneri.

Këto deklarata janë në kontrast me ato të Pablo Ortells (drejtor futbolli), i cili pak ditë më parë tregoi se kohët e rikuperimit të Muriqit e vënë në dyshim për ndeshjen ndaj Celta Vigos, por në asnjë rast nuk tha se do të mungojë edhe për një muaj. 

Me humbjen e sulmuesit kosovar, Cyle Larin dhe Abdón Prats kanë edhe një muaj për t'i bërë të harrojnë 'piratin' , i cili mungon në fushën e blertë. Një tjetër 'përfitues' është senegalezi Amath Ndiaye, i cili, pavarësisht thashethemeve, synon të vazhdojë në ishull.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll