Bota

AKP mori kontrollin e kompleksit, “Rajska Banja” dikur strehë terroristësh dhe pikë luftimi në sulmin e 24 shtatorit (FOTO)

Kompleksi “Rajska Banja”, dikur ka qenë një banjë termale e Kosovës, kurse organet ilegale të Serbisë kanë tentuar që ta përvetësojnë duke u përpjekur që të investojnë.

20 Dhjetor 2023, 12:36 Nga r.ll
AKP mori kontrollin e kompleksit, “Rajska Banja” dikur strehë
foto e zyrtareve serb ne kompleks

KOSOVË- Kompleksi turistik “Rajska Banja” që dje u mor nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, deri vonë ka qenë strehë e terroristëve të pjesëtarëve të të ashtuquajturës "Mbrojtja Civile", kurse drejtori i saj, Marko Saviç, ka qenë njëri nga pjesëmarrësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Sipas Kosovapress, Marko Saviç është fotografuar bashkë me Vladimir Radivojeviç (bashkëpunëtor i afërt i Milan Radoiçiç) dhe Uglesa Jarediç (shefi i truprojave të Radoiçiç), duke vizituar kompleksin më 24 shtator, ditën e sulmit terrorist bga grupi serb ndaj policisë së Kosovës. Kujtojmë se Radivojeviç, së bashku me Radoiçiç dhe 18 të tjerë, kanë hyrë në “red notice” të Interpolit. 

Kompleksi “Rajska Banja”, dikur ka qenë një banjë termale e Kosovës, kurse organet ilegale të Serbisë kanë tentuar që ta përvetësojnë duke u përpjekur që të investojnë, gjoja në bashkëpunim me kishën ortodokse.

Mirëpo, sipas informacioneve, pikërisht në bodrumin e këtij kompleksi, më 25 shtator, është gjendur një automjet i tipit “Opel” me armatim, i cili është konfiskuar nga Policia e Kosovës. Hapësirën e këtij kompleksi, serbët e kishin shfrytëzuar edhe për pozicionimin ndaj sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, kur u vra efektivi Afrim Bunjaku.

Para një viti, më 5 shtator 2022, kur në veri ishin ngritur barrikadat dhe ishte pamundësuar çdo qarkullim, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kishte vizituar  “Rajska Banjën” së bashku me Petar Petkoviçin. Të dhënat tregojnë se ky kompleks turistik është udhëhequr nëpër periudha të ndryshme nga njerëz që kanë lidhje me institucionet e sigurisë së Serbisë.

Danilo Delibasiç, që dikur ka qenë drejtor i këtij kompleksi, një kohë ka qenë edhe shefi i organizatës së shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, e njohur si ‘Mbrojtja Civile’. Pikërisht, Delibasiç ishte shofer në automjetin Audi A6, i cili më 23 qershor 2023 është kapur me një sasi shumë të madhe armatimi në Zveçan.

Të dhënat thonë se, si rrallëherë një objekt i tillë ka qenë i lidhur me terroristët serbë. Edhe njëri nga terroristët e arrestuar më 26 shtator, Dusan Maksimoviç, ka qenë punonjës i këtij kompleksi turistik.

kompleksi rajska banja

Sondazh

Poll