Sport

NDAL DHUNES! Kampionati grek i futbollit me dyer të mbyllura, deri në shkurt 2024…

Këtë të hënë, qeveria greke bëri me dije se të gjitha ndeshjet e ardhshme në kampionatin kombëtar të futbollit do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pas dhunës gjatë një ndeshje volejbolli.

11 Dhjetor 2023, 22:19 Nga DOSJA

NDAL DHUNES! Kampionati grek i futbollit me dyer të mbyllura, deri në

GREQI - Ndeshjet e kampionatit grek të futbollit do të luhen me dyer të mbyllura deri më 12 shkurt. I shpallur të hënën nga qeveria e vendit mesdhetar, ky vendim synon të frenojë dhunën, që është vënë në dukje rregullisht në sportin grek. Kjo masë është marrë pas dhunës të së enjtes gjatë një ndeshje volejbolli në Athinë, ku një efektiv policie mbeti i plagosur rëndë.

"Për shumë vite, kriminelët e paraqitur si tifozë kanë kryer krime të rënda, duke plagosur dhe vrarë rëndë,"- tha zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis. Më pas ai saktësoi se kjo masë mund të zbatohet “rast pas rasti për ndeshjet europiane të skuadrave greke” që  marrin pjesë këtë javë në Europa League dhe Conference League. Ndeshja e C3 ndërmjet Olympiakos dhe klubit serb Backa Topola, e planifikuar për këtë të enjte do të zhvillohet pa shikues.

Dhuna mbresëlënëse që përsëritet

Në Greqi, dhuna shoqëron rregullisht ndeshjet e futbollit, ku grindjet rreth stadiumit janë bërë të zakonshme.  Në një vit e gjysmë, komuniteti grek i futbollit ka përjetuar dy vrasje në periferi të ndeshjeve kyçe. Në shkurt të vitit 2022, 19-vjeçari Alkis Kampanos u vra jashtë stadiumit të Aris Salonika para një derbi kundër PAOK-ut. Një duzinë persona u dënuan për vrasje me dashje korrikun e kaluar në lidhje me këtë rast, me dënime që varionin nga nëntëmbëdhjetë vjet burg deri në përjetësi.

Gushtin e kaluar, një tifoz 29-vjeçar i AEK-ut në Athinë u vra teksa merrte pjesë në një përleshje me tifozët e Dinamo Zagrebit. Ngjarja ka ndodhur pak orë para ndeshjes kualifikuese të Champions League. “Moda e re është të shkosh në grupe, të armatosur me thika, për të gjetur mbështetës rivalë. Është jashtë kontrollit”,- tha gazetari sportiv Aris Asvestas për rubrikat tona nëntorin e kaluar.

Në mars 2018, një tjetër ngjarje e madhe tronditi vendin, kur presidenti i PAOK-ut zbriti në fushë me armë në brez, ndërsa ekipit të tij sapo i ishte mohuar goli i fitores ndaj AEK-ut. Kjo skenë çoi në pezullimin e kampionatit grek për dy javë. Personi kryesor në fjalë u dënua me njëzet e pesë muaj burg dhjetë muaj më parë, por është ende president i klubit edhe sot e kësaj dite.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll