Bota

Njësia më elitare e Policisë së Kosovës proteston sot para Qeverisë, i bashkohet edhe Sindikata

Pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, edhe më 1 nëntor, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).

9 Dhjetor 2023, 08:58 Nga a.l
Njësia më elitare e Policisë së Kosovës proteston sot
Njësia Speciale

KOSOVË- Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, NJSI, do të protestojë sërish sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Protesta do të mbahet në orën 12:00 dhe asaj do t’i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Ai ka thënë se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.

“Po, do të jemi në protestë, ku do t’i publikojmë edhe kërkesat tona”, ka thënë Zeqiri.

Pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, edhe më 1 nëntor, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).

Të veshur në uniforma, por pa armë, ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta më 7 nëntor, por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht. Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

Takimi mes tyre u mbajtë, por pa ndonjë rezultat, që si rrjedhojë vjen edhe protesta e sotme. Ndërkohë, pas protestës që zhvilluan këto dy njësite para objektit të Qeverisë së Kosovës në fillim të muajit të kaluar, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u deklaruan lidhur me kërkesat e tyre, përmes postimeve në Facebook.

Kurti tha se 27 për qind e pjesëtarëve të Policisë kanë pasur të hyra më shumë se 1000 euro në muaj, duke shtuar se janë 203 policë që sivjet kanë pasur të ardhura edhe më të larta se Presidentja Vjosa Osmani. 

njesia speciale

Sondazh

Poll