Aktualitet

"Gërdeci"/ Dy dëshmi të tjera, ish-ushtaraku: Pati debate për kostot e transportit! Inxhinierja: Shënimin me stilolaps për Shkëlzenin nuk e bera unë

Ai është shprehur se pas një takimi që kanë pasur me një grup zyrtarësh amerikanë, ka pasur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij, për pikën 6 të urdhrit, që kishte të bënte me kostot e transportit.

30 Nëntor 2023, 14:40 Nga r.ll
"Gërdeci"/ Dy dëshmi të tjera, ish-ushtaraku: Pati
foto ilustruese

TIRANË-Në seancën e mbajtur sot në GJKKO ndaj ish- ministrit Fatmir Mediu, ka dëshmuar edhe ushtaraku Viktor Përshqeta, i cili deklaroi se ka qenë Oficer Armatimi aktiv për 27 vjet, specialist municionesh.

Ai është shprehur se pas një takimi që kanë pasur me një grup zyrtarësh amerikanë, ka pasur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij, për pikën 6 të urdhrit, që kishte të bënte me kostot e transportit.

“Jam emëruar 8 muaj përpara tragjedisë së Gërdecit. Me urdhër të eprorëve kam shoqëruar një grup zyrtarësh të kompanisë Cubic, amerikanë, të cilët do të bënin një inventarizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug. Më ka thirrur në lidhje me urdhrin 20-44, ma ka lexuar urdhrin Ilmi Laçaj, i cili e kishte përpiluar, pasi ishte praktikë pune. Ka pasur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij për pikën 6 të urdhrit, që kishte të bënte me kostot e transportit. U tha, urdhrin e kërkon shefi, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu”, ka deklaruar ai.

I pyetur nga avokati i Mediut, “pse thoni se shefi është Mediu? A nuk është shefi juaj, eprori juaj”?

Ai i përgjigjet: Në zhargonin e zyrës me ‘shef ose shef i madh’ nënkuptonim Ministrin e Mbrojtjes, sepse shefit të shtabit i drejtoheshim me ‘Gjeneral’.

Në po të njëjtin proces, dëshmoi edhe Anila Gjergji me detyrë inxhinierie software-i.

“Ne kishim disa fax-e, por numrat nuk më kujtohen. Kam bërë shënimin, kam vendosur numrin e protokollit, datën dhe firmën time. Fax-i nr. 622, datë 13/03/2007 dërguar nga ministria e drejtëësisë për ministrinë e mbrojtjes. Shënimin me stilolaps për Shkëlzenin nuk e kam bërë unë, ashtu erdhi. Mendoj që ka ardhur me fax-in, por nuk më kujtohet.”

I pandehuri, Fatmir Mediu, ndërhyri me pyetjen:

“A ju ka thënë ministri që ju do prisni fax-in *për Shkëlzenin, Sali Berishën etj. Ju ka marrë ministri në telefon, e keni takuar ministrin?”

Dëshmitarja përgjigjet me “Jo”.

viktor pershqeta gerdeci

Sondazh

Poll