Sport

Lufta ndalon ndeshjet e kombëtares së Izraelit për kualifikueset e “Euro 2024”!... Përballja me Kosovën në monitorim

Çfarë po ndodh në grupin “I”, pas vendimit të minutës së fundit të marrë nga UEFA!

9 Tetor 2023, 07:30 Nga DOSJA
Lufta ndalon ndeshjet e kombëtares së Izraelit për kualifikueset

ZVICER - Lufta që shpërtheu të shtunën, më 7 tetor 2023, ndalon ndeshjet e kombëtares së Izraelit për kualifikueset e “Euro 2024”. Çfarë po ndodh në grupin “I”, pas vendimit të minutës së fundit të marrë nga UEFA!

Të shtunën, më 7 tetor, grupi paraushtarak palestinez “Hamas” sulmoi shtetin e Izraelit me më shumë se 5000 raketa. Ishte vetëm fillimi i një lufte të re të përgjakshme, e cila vazhdon për shumë orë në territorin e Izraelit. Deri më tani janë konfirmuar më shumë se 600 të vrarë! Ka edhe mijëra të plagosur nga sulmet e dhunshme.

Në Izrael tashmë është shpallur gjendja e luftës dhe në mediat ndërkombëtare është raportuar se nuk do të luhen më ndeshjet ndërkombëtare të futbollit për “Euro 2024”. Më 12 tetor, Izraeli ishte planifikuar se do të përballej me Zvicrën në Tel-Aviv, në raundin e 7-të të Grupit “I” të kualifikueseve për kampionatin evropian. 

Dhe thashethemet u konfirmuan, të dielën në mbrëmje, përmes një deklarate zyrtare të lëshuar nga UEFA.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë në Izrael, UEFA ka vendosur të shtyjë të gjitha ndeshjet e planifikuara atje për dy javët e ardhshme. Datat e reja do të konfirmohen në kohën e duhur”,- thuhet në UEFA.com.

Cilat ndeshje janë shtyrë?

Izrael - Zvicër, 12 tetor, kualifikueset e “Euro 2024”

Izrael - Estoni, 12 tetor, kualifikueset e U-21 “Euro 2025”

Izrael - Gjermani, 17 tetor, kualifikueset e U-21 “Euro 2025”

11 - 17 tetor, një mini-turne që përfshin ekipet kombëtare U-17 të Izraelit, Belgjikës, Gjibraltarit dhe Uellsit.

Kosovë - Izrael, në rrezik shtyrjeje…

Vetëm 3 ditë, pasi ishte menduar të luante kundër Zvicrës, kombëtarja e Izraelit teorikisht do të takohej me ekipin e kombëtares së Kosovës, jashtë fushe, po për kualifikueset e “Euro 2024”. Ka gjasa, që edhe kjo ndeshje të shtyhet.

UEFA-s i duhen disa ditë për të vlerësuar, nëse ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” Kosovë-Izrael do të zhvillohet në datën e planifikuar më 15 tetor, apo kërkon shtyrje.

“UEFA do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër dhe do të qëndrojë në kontakt me të gjitha ekipet e përfshira përpara se të marrë vendime për datat e reja dhe ndryshimet e mundshme në ndeshjet e tjera të ardhshme”,- tha UEFA.com.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll