Aktualitet

Kundër punimeve të ujësjellësit të ri, banorët e Mezhgoranit sërish në protestë

Banorët shprehen se ky projekt iu merr ujin e pijshëm për t'ja vënë në dispozicion biznesit privat që do të ndërtohet.

6 Tetor 2023, 12:05 Nga r.ll
Kundër punimeve të ujësjellësit të ri, banorët e
foto nga protesta

TEPELENË- Banorët e fshatit Mezhgoran në Tepelenë kanë protestuar sërish ditën e sotme kundër ndërtimit të një ujësjellësi lokal që pritet të furnizojë me ujë Mezhgoranin, Peshtanin dhe një resort turistik që po ndërtohet në anën tjetër të Vjosës.  Banorët shprehen se ky projekt iu merr ujin e pijshëm për t'ja vënë në dispozicion biznesit privat që do të ndërtohet. Fshati me rreth 300 banorë i vendosur në një lartësi prej 730 m mbi nivelin e detit, jeton kryesisht me blegtori.

“Janë duke na marrë ujin pa na pyetur fare. Duan zhvendosjen e fshatit. Kemi kërkuar të na bëjnë rrugën jo ujësjellësin. Fshati e kontrollon vetë ujin si mundet me investime private dhe burimi ska ujë as për ne jo më të furnizojë resorte”, shprehet një banor.

“Fshati jeton me blegtori. Ku do pijnë bagëtitë? Kemi 2500 dele e dhi përveç lopëve. Si kanë menduar që do jetojmë pa ujë? Askush nuk është dakord. Burimi thahet komplet në verë e nuk përmbush dot nevojat tona. Nuk do ti lejojmë”, thotë një tjetër.

“Po na hoqën dhe ujin të na thonë si të jetojmë. Ne nuk kemi parë asnjë projekt nuk na u morr asnjë mendim. Nuk dimë fare ç’bëhet vetëm duam zgjidhje”, tregon një banore.

Ditën e djeshme banorët bllokuan rrugën nacionale pranë urës së Peshtanit duke ndaluar kalimin e mjeteve të rënda dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me policinë. Ndërkohë sot u desh ndërhyrja e forcave të shumta policore për të garantuar fillimin e punimeve.

banoret ne proteste mezhgoran

Sondazh

Poll