Sport

Kuntz i habitur nga shkarkimi prej kombëtares turke: “Bëmë një punë të shkëlqyer”

"Ne kemi arritur 12 fitore dhe 3 barazime në 20 ndeshjet, në të cilat kam qenë trajner i kombëtares turke. Humbëm 4 ndeshje ndaj rivalëve të fortë si Portugalia, Italia, Kroacia dhe Japonia"

22 Shtator 2023, 09:30 Nga DOSJA
Kuntz i habitur nga shkarkimi prej kombëtares turke: “Bëmë

TURQI - Stefan Kuntz u shkarkua të mërkurën nga Federata Turke e Futbollit. Humbja ndaj Japonisë në një ndeshje miqësore ishte fatale për trajnerin gjerman, pavarësisht rezultateve më se ngushëlluese në ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024”.

Për këtë arsye, ish-sulmuesi gjerman duket i habitur nga ky vendim: “Do të doja të bëja një deklaratë të shkurtër, pasi mësova se jam shkarkuar nga detyra si trajner i kombëtares turke.

Për momentin jemi në vendin e dytë në grupin kualifikues me 10 pikë, barazojmë me kryesuesin Kroacinë, ndaj kemi shanse shumë të mëdha për të marrë pjesë në finale të Kampionatit Evropian 2024, që do të mbahet në Gjermani.

Ne kemi arritur 12 fitore dhe 3 barazime në 20 ndeshjet, në të cilat kam qenë trajner i kombëtares turke. Humbëm 4 ndeshje ndaj rivalëve të fortë si Portugalia, Italia, Kroacia dhe Japonia.
Jam krenar që kam arritur objektivat që i kam vënë vetes kur kam marrë detyrën (2021): pjesëmarrjen në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës në Katar dhe kalimin nga Liga C në Ligën B të Nations League.

Në 20 ndeshjet që luajtëm, shënuam 46 gola dhe pësuam 26, ku shënuan 21 lojtarë të ndryshëm. Jam veçanërisht i lumtur që arritëm të bindim Salih Özcan (Dortmund) dhe Ferdi Kadıoğlu (Fenerbahçe) që zgjedhën të luanin me Turqinë.

Një tjetër synim i imi dhe ekipit tim të trajnerëve, ishte zbulimi dhe inkurajimi i talenteve të rinj turq. Në dy vitet që isha në shërbim, 22 lojtarë debutuan për kombëtaren turke. Mosha mesatare e këtyre lojtarëve është 23.27 vjeç. Dhjetë nga këta lojtarë u transferuan në klube më prestigjioze pas debutimit të tyre, duke përfshirë Arda Güler (Real Madrid).

Këto pika më bëjnë mua dhe gjithë ekipin teknik krenar për punën e bërë. Dua të falënderoj të gjithë lojtarët që kam mundur të shoqëroj në këto dy vite, stafin tim që ka bërë një punë të shkëlqyer, ekipin e trajnerëve, Kenan Kocak, Jan Moritz Lichte dhe Axel Busenkell dhe të gjithë tifozët e dashur turq, të cilët më kanë mbështetur si në Turqi, në Evropë dhe në botë.

I uroj kombëtares turke dhe veçanërisht popullit turk që të vazhdojë puna jonë e suksesshme dhe skuadra të kualifikohet në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani. Një nga ëndrrat e mia më të mëdha ishte të isha në stol si trajner i kombëtares turke në Kampionatin Evropian të Gjermanisë: fatkeqësisht kjo do të mbetet e parealizuar”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll