Art&Argëtim

Iran/ Regjisori Said Rustagi dënohet me burg për shfaqjen e filmit të tij në Kanë

Një gjykatë e Teheranit ka dënuar regjisorin e njohur Said Rustagi me gjashtë muaj burg, për shfaqjen e filmit të tij "Leila dhe vëllezërit e saj" në Festivalin e Filmit në Kanë 2022, raportojnë mediat iraniane.

16 Gusht 2023, 16:22 Nga m.s
Iran/ Regjisori Said Rustagi dënohet me burg për shfaqjen e filmit
foto ilustruese

Një gjykatë e Teheranit ka dënuar regjisorin e njohur Said Rustagi me gjashtë muaj burg, për shfaqjen e filmit të tij "Leila dhe vëllezërit e saj" në Festivalin e Filmit në Kanë 2022, raportojnë mediat iraniane.

Filmi artistik përshkruan historinë e një familje të varfër në një Iran të zhytur në krizë ekonomike. Ai u ndalua në Iran "për shkak të shkeljes së rregullave nga pjesëmarrja e paautorizuar në festivalet e Kanës dhe Mynihut", sipas autoriteteve iraniane.

“Gjykata revolucionare e Teheranit dënoi Said Rustagi dhe Javad Norouzbegi, regjisorin dhe producentin e filmit “Leila dhe vëllezërit e saj” me gjashtë muaj burg”, shkruante gazeta reformiste Etemad në faqen e saj.

Të dy u shpallën fajtorë për "kontribuim në propagandën e opozitës kundër sistemit islamik" në Iran.

Megjithatë, gjykata vendosi që dy të dënuarit të kryejnë një të njëzetën e dënimit, pra nëntë ditë, ndërsa pjesa tjetër e dënimit do të pezullohet për pesë vjet.

“Gjatë periudhës së pezullimit, i dënuari duhet të përmbahet nga aktivitetet që lidhen me krimin e kryer dhe nuk do të ketë kontakt me persona aktivë në industrinë e filmit”.

34-vjeçari Said Rustagi njihet edhe nga filmi i vitit 2021 "Ligji i Teheranit", një film kriminal për industrinë e drogës dhe shtypjen e saj nga shteti iranian.

Për filmin "Leila dhe vëllezërit e saj" regjisori iranian u nderua me çmimin e komitetit të Federatës Ndërkombëtare të Shtypit Kinematografik, në maj 2022.

said rustagi  regjisor festivali i filmit ne kane

Sondazh

Poll