Politike

I biri i mori jetën ndërtuesit, PD kërkon largimin e anëtares së KLP-së: Pengesë për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes kriminale

Partia Demokratike ka kërkuar largimin e anëtares së KLP-së, Nurihan Meta, djali i të cilës një ditë më parë i mori jetën biznesmenit të ndërtimit, Armando Meshau

8 Gusht 2023, 15:19 Nga m.s
I biri i mori jetën ndërtuesit, PD kërkon largimin e
Rei Meta, Nurihan Meta dhe Armando Meshau

TIRANE- Partia Demokratike ka kërkuar largimin e anëtares së KLP-së, Nurihan Meta, djali i të cilës një ditë më parë i mori jetën biznesmenit të ndërtimit, Armando Meshau. PD kërkon largimin e anëtares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, nën argumentin se mund të pengojë hetimin për zbardhjen e ngjarjes. Sipas kësaj force politike, çdo ditë që Nurihan Meta do të mbajë detyrën e anëtares së KLP-së, do të përbëjë një cënim të rëndë të integritetit të KLP-së, si dhe pengesë për hetimin dhe zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje kriminale.

Rei Meta, 33-vjeç, pretendon se nuk donte ta vriste ndërtuesin Armando Meshau, të cilin e goditi dy herë me grusht në fytyrë. Në dëshminë e tij, ai ka rrëfyer edhe konfliktin e hershëm që ka patur me Armandon, që sipas tij ka lindur për një tokë që viktima kishte blerë, por që vetë Meta kishte hyrë garant për një person të tretë për ta blerë, duke pranuar se po kryente rolin e një sekseri.

Deklarata

Për shkak të dhunës të ushtruar nga shtetasi Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta, humbi jetën shtetasi Armando Meshau; si dhe faktet e bëra publike nga hetimet paraprake, të cilat dëshmojnë se djali i anëtares së KLP-së vepronte si sekser duke përdorur emrin dhe prestigjin e postit të së ëmës, kërkojnë një hetim të thelluar jo vetëm të krimit të kryer nga Rei Meta, por edhe të këtyre akuzave publike që sot rëndojnë mbi znj. Nurihan Meta. Prandaj, në respekt të ligjit dhe për shkak të detyrës të lartë që mbulon, Partia Demokratike i bën thirrje znj. Nurihan Meta të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugën drejtësisë.

Çdo ditë që zj.Nurihan Meta mban detyrën e anëtares së KLP-së, përbën një cënim të rëndë të integritetit të KLP-së, si edhe bëhet pengesë për hetimin dhe zbardhjen e shpejtë dhe të plotë nga ana e prokurorisë, të kësaj ngjarje kriminale. Prokuroria nuk mund të jetë nën presion për shkak të konfliktit të interesit që rëndon mbi të nga ana e anëtarëvë të KLP-së. Partia Demokratike mbështet prokurorinë për një hetim të gjithëanshëm të kësaj ngjarje të rëndë në të cilën humbi jetën z. Armando Meshau, dhe në këto orë të trishta, ne shprehim ngushëllimet tona për familjen e të ndjerit.

armando meshau nurihan meta

Sondazh

Poll