Bota

"EU Reporter": Uashingtoni i shqetësuar për të drejtat e disidentëve iranianë në Shqipëri

3 Gusht 2023, 12:37 Nga f.i
"EU Reporter": Uashingtoni i shqetësuar për të drejtat
Robert Menendez

SHBA- Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan zhvilloi një seancë dëgjimore më 26 korrik për të diskutuar mbi disa emërime të Departamentit të Shtetit të mbetur pezull. Gjatë kësaj seance kryetari i Komitetit, Robert Menendez ngriti çështjen e personave që kërkonin strehim në zonën e tij të aktivitetit dhe iu referua konkretisht një komuniteti prej rreth 3,000 të mërguarish iranianë që kanë banuar në Shqipëri gjatë disa viteve të fundit, raporton eureporter.

Artikulli:

“Më 20 qershor, qeveria shqiptare mësyu në kampin Ashraf 3”, tha Menendez, duke shtuar se ka  pasur “versione të ndryshme” të operacionit.

Sipas lajmeve, një rezident u vra gjatë operacionit policor dhe një numër të tjerësh pësuan dëmtime që kërkonin trajtim në spital. Shqipëria pranoi të strehonte mijëra anëtarë të lëvizjes kryesore opozitare iraniane, Organizata e Muhaxhedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), disa vjet më parë.

Menendez u shfaq skeptik për motivet e mësymjes kur ngriti çështjen në seancën e së mërkurës. Nga njëra anë, ai i shprehur mirënjohjen Shqipërisë që pranoi të ndihmonte në shpërnguljen e anëtarëve të MEK nga ish-baza ushtarake amerikane Camp Liberty në Irak, ku ata ishin bërë objekt sulmesh të përsëritura nga ana e regjimit iranian. Por nga ana tjetër ai theksoi se “nëse kërkon strehim, pa diskutim që duhet të jesh në pozita për ta ditur nëse ai strehim është i sigurt”.

Obrien ishte dakord për të dyja pikat, duke thënë “bashkohem me ju në vlerësimin e Shqipërisë, e cila ka qenë një vend shumë i rëndësishëm strehimi për një numër njerëzish që kanë kërkuar azil”. Ai vazhdon me premtimin se do ta shqyrtonte operacionin në Ashraf 3 dhe do të raportonte për konkluzionet e arritura në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë.

I pyetur nga Menendez nëse do t’u “përkushtohej mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të rezidentëve të Camp Ashraf”, Obrien u përgjigj “absolutisht”.

Edhe disa ligjvënës të tjerë amerikanë kanë shprehur shqetësim për sigurinë e rezidentëve të kampin, shpesh duke ua bashkuar këto çështje kërkesave për përkrahje ndërkombëtare për protestat pro-demokraci në Iran, të cilat kanë qenë veçanërisht të dukshme që nga shtatori i kaluar, kur një revoltë kombëtare mori shkas nga vdekja e një gruaje kurde 22-vjeçare, Mahsa Amini, nga duart e policisë.

Për këtë qëllim, Përfaqësuesit Lance Gooden (PR-Texas) dhe Steve Cohen (PD-Tennessee) paraqitën një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve më 27 korrik, duke dënuar qeverinë iraniane për goditjet kundër disidencës, veçanërisht masakrën e vitit 1988 mbi të burgosurit politikë, e cila synonte kryesisht anëtarët dhe mbështetësit e MEK. Rezoluta identifikoi protestat e fundit si “të rrënjosura në më shumë se katër dekada të rezistencës së organizuar” që regjimi iranian u përpoq pa sukses ta shuante duke vrarë deri në 30,000 disidentë dhe aktivistë gjatë verës së vitit 1988. Prandaj, ajo i kërkoi Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB të përfshinte hetimet për atë masakër si pjesë e hetimit të tij të vazhdueshëm për shtypjen e kryengritjes së shtatorit.

Ajo i bëri thirrje “qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që në bashkëpunim me aleaten tonë Shqipërinë, të sigurojë mbrojtje të plotë të refugjatëve politikë iranianë në Ashraf 3 në Shqipëri dhe t’u sigurojë atyre të gjitha përfitimet nga të drejtat e përcaktuara nga Konventa e Gjenevës e vitit 1951 dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë të drejtën e jetës, lirisë e sigurisë, dhe mbrojtjen e pronës, si dhe lirinë e fjalës e të grumbullimit”.

robert menendez

Sondazh

Poll