Sport

Sadio Mané e tradhëtojnë nervat, konfliktohet me një gazetar: "Po më vret çdo ditë dhe tani do që të flas me ty?"...

Sulmuesi senegalez refuzoi t'i përgjigjej një gazetari kritik, në ditën e prezantimit të Bayernit…

24 Korrik 2023, 13:41 Nga DOSJA
Sadio Mané e tradhëtojnë nervat, konfliktohet me një

GJERMANI - E ardhmja sportive e Sadio Mané te Bayern nuk është aspak e qartë. Këtë verë mund të jetë edhe largimi i senegalezit nga skuadra bavareze. 

Pak ditë më parë, trajneri i tij, Tuchel, ishte i qartë se çfarë mendon për paraqitjen e lojtarit: "Konkurenca për të është shumë e ashpër. Në pozicionin ku e shoh më së miri janë Kingsley Coman, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne dhe Serge Gnabry, i cili ka rikuperuar formën e tij".

Pavarësisht se ai është ende lojtar i Bayern Munichut, Al-Nassr do të ishte shumë i interesuar për të marrë shërbimet e senegalezit. Të dielën, në prezantimin e skuadrës bavareze, Sadio Mané pati një incident të pakëndshëm me një gazetar, të cilin sulmuesi e akuzoi se ishte tepër kritik ndaj futbollit të tij.

“Më vrisni çdo ditë dhe tani doni që unë të flas me ju”, i tha Sadio Mané gazetarit në  ambientet e stadiumit të Bayern Munich, në ditën që senegalezi do të ushtrohej me të njëjtin ritëm si shokët e tij të skuadrës.

Mané ka një kontratë deri në qershor 2025 , por ish-lojtari i Liverpool-it nuk është më në planet e një Bayern Munich, që do të dëshironte të kursente 20 milionë euro në vit nga paga e tij.

Synimet e Tuchel me Mané janë të qarta, pasi niveli i tij në fushë nuk e ka bindur. "Sadio pati një sezon të pakënaqshëm. Performanca e tij ishte nën pritshmëritë ndaj tij dhe të klubit,"- tha trajneri disa ditë më parë gjatë kampit stërvitor parasezonal të Bayernit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll